BOTA, 2 September 2026, 09:08

SHBA goditi 100 objektiva, Irani lëshon raketa në Irak, Jordani, Bahrein dhe Kuvajt

Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar dy cisterna nafte të qeverisë iraniane në valën e fundit të sulmeve, raporton Axios, duke cituar burime që thonë se është hera e parë që ushtria amerikane ka shënjestruar cisternat e naftës të Teheranit në hakmarrje për sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmi është pjesë e strategjisë "cisternë nafte pas cisterne" të miratuar nga Presidenti Donald Trump për të penguar sulmet ndaj Hormuzit. Një total prej 100 objektivash u goditën gjatë sulmeve.

Nderkohe Teherani ka nisur sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt, Irak dhe Bahrein, pasi forcat amerikane rifilluan sulmet kundër Iranit.

Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane raportoi se 11 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën kur një sulm me raketa amerikane goditën një shtëpi ku po zhvillohej një dasmë në Sirik, në Iranin jugor. Ushtria amerikane tha se ishte në dijeni të raporteve, por se nuk kishte synuar kurrë civilë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit pasuan "sulme të tentuara së fundmi" nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcave amerikane në rajon.

Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) tha se SHBA-të do të "pendohen" për sulmet. Deri në orët e para të së mërkurës, ajo kishte nisur një breshëri raketash balistike në një bazë të Marinës Amerikane në Akabën e Jordanisë në hakmarrje për sulmin në Sirik, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim të Iranit.

Forcat e Armatosura Jordaneze thanë se kishin kapur 13 raketa balistike, 10 prej të cilave u shkatërruan, ndërsa tre ranë në zona të largëta. Nuk pati vdekje ose lëndime si pasojë e sulmit nga Irani.

Në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut, Garda Revolucionare e Iranit tha të mërkurën se kishte goditur bazat amerikane me raketa dhe dronë, duke shkatërruar një qendër mirëmbajtjeje, depo dhe pajisje, raportoi agjencia shtetërore IRNA.

Donald Trump, kur u njoftuan sulmet e SHBA-së të martën pasdite, paralajmëroi se Irani do të goditej përsëri në "një nivel shumë më të ashpër dhe më të lartë" nëse do të hakmerrej.

Por më vonë Trump shtoi se "Nuk po përpiqej ta detyrnte Iranin të ulet në tryezën e negociatave. Nuk më intereson nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje që nuk do të thotë asgjë për ta."

"Ne kemi kontroll pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe ekonomia e tyre po shembet. Ata thjesht po presin të pashmangshmen. Kur do të ngrihet populli iranian dhe do të luftojë?" shtoi presidenti amerikan.

Sulmi vjen pas sulmeve të para të njohura të SHBA-së ndaj Iranit që nga fundi i korrikut në fillim të kësaj jave, kur forcat sulmuan dy raketahedhës në ishullin Larak në ngushticë. Teherani u hakmor duke qëlluar raketa në bazat ajrore në Jordani dhe një dron në Emiratet e Bashkuara Arabe.