AKTUALITET, 23 Mars 2023, 12:04

Rama mbërrin në Londër, nuk humbet kohë dhe shkakton polemika që në mëngjes: Deklaratat për shqiptarët, moment i turpshëm i politikës britanike

Rama mbërrin në Londër, nuk humbet kohë dhe shkakton

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak në Downing Street. 

Kryeministri nuk ka humbur aspak kohë, duke shkaktuar polemika që në mëngjes. 

Ai ka folur në programin "Today" në Radio Four, duke i konsideruar deklaratat e Ministres së Brendshme të MB, Suella Braverman, si të turpshme. 

"Ne kemi parë komunitetin tonë të veçohet për shkaqe të politikës. Ka qenë një moment mjaft i turpshëm për politikën britanike", tha Rama, duke iu referuar deklaratave të Ministres së Brendshme, e cila fliste në Parlamentin britanik për "pushtim të vendit" dhe për "kriminelët shqiptarë", pas një rritje të jashtëzakonshme të numrit të shqiptarëve që kalonin me gomone nga Franca drejt Britanisë. 

"Ne e refuzojmë këtë lloj bashkimi midis disa kriminelëve dhe shqiptarëve. T'i japësh krimit një vulë etnike, është në vetëvete një krim", shtoi Rama. 

Deklaratat e kryeministrit morën vëmendjen e një pjese të konsiderueshme të mediave britanike. 

Kryeministri pritet të bisedojë me homologun Sunak, kryesisht për çështje që lidhen me emigracionin dhe krimin si edhe bashkëpunimin midis dy vendeve. 

Pse u kthyen shqiptarët në çështje dite në Britani? 

Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, u kthyer në një problem serioz për autoritetet britanike, kur papritur në vitin 2022, u vu re një rritje e jashtëzakonshme e kalimeve me gomone, situatë e cila e ktheu vëmendjen e autoritetetve drejt origjinës së problemit, Shqipërisë. 

Gjatë muajve Maj-Shtator 2022, shqiptarët u kthyen në kombësinë me numrin më të lartë të kalimeve të paligjshme drejt MB me gomone, me rreth 42% të të gjithë kalimeve. Konkretisht 11,102 shqiptarë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në vetëm pesë muaj, shifra këto që alarmuan autoritetet britanike. 

Një tjetër statistikë, që sugjeron se ka një problem serioz të kriminalitetit shqiptar në MB, është numri i të burgosurve me kombësi shqiptare. Kështu, deri në fund të Qershorit 2022, shqiptarët ishin të parët për nga kombësitë e huaja, që popullonin burgjet e Anglisë dhe Uellsit, duke kaluar polakët dhe rumunët, të cilët kanë një diasporë disa herë më të madhe në Britani, krahasuar me atë shqiptare. 

Shqiptarët u kthyen në çështje të ditës në mediat dhe politikën britanike, duke sjellë edhe përplasje të ashpra në distancë mes kryeministrit shqiptar dhe autoriteteteve vendase. Kryeministri Rama e quajti MB-në një "çmendinë", ndërkohë që dënoi retorikën e Ministres së Brendshme, Suella Braverman, e cila kishte mbajtur një fjalim të ashpër në parlament, ku fliste për "pushtim" të vendit dhe u referohej në fjalën e saj edhe "kriminelëve shqiptarë". 

Retorika e ashpër u pasua nga një protestë e komunitetit shqiptar në Westminster, ku kërkonin distancimin e qeverisë nga deklaratat e Braverman. 

Në dhjetor 2022 MB dhe Shqipëria u zotuan me anë të një marrëveshje për kthimin e shpejtë të emigrantëve të paligjshëm. 

Në mars 2023, qeveria britanike prezantoi një ligj, sipas të cilit, Sekretarja e Brendshme do të ketë "detyrimin të largojë" ata persona që hyjnë në MB, nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe ky obligim do të ketë prioritet ndaj të drejtës së tyre për të kërkuar azil.