AKTUALITET, 20 Qershor 2022, 22:55

Sondazhi që rrëzon reformën në drejtësi/ Sejamini: Jemi gjashtë vjet duke u "reformuar", është kthyer në gjendje të përhershme!

Sondazhi që rrëzon reformën në drejtësi/ Sejamini: Jemi
Neritan Sejamini në TPZ

Neritan Sejamini ka shpjeguar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, disa nga gjetjet kryesore të një sondazhi të Euronews Albania për reformën në drejtësi. 

Sipas sondazhit, shqiptarët kryesisht nuk besojnë se reforma ka arritur ndonjërën prej objektivave. Sejamini deklaroi që tashmë "reformimi i drejtësisë" është kthyer në një gjendje të përhershme, sepse vijon prej gjashtë vitesh. 

"Për një muaj bëhet gjashtë vjet nga miratimi i reformës në drejtësi. Kjo reformë është bërë një gjendje e përhershme. Nuk ka më drejtësi, por kemi gjithmonë idenë që dikur do të kemi drejtësi.

Jemi munduar të masim si ka ndryshuar mendimi i opinionit publik.

Nëse ka diçka që nuk shkon me reformën në drejtësi, si me çdo reformë tjetër, gjëja më e mirë është të ndalesh, të reflektosh dhe ta korrigjosh.
Ata që kanë qenë autorët e reformës, këmbëngulin që reforma është sukses. Mendimi i qytetarëve, shumica mendojnë se reforma nuk ka arritur asnjë nga objektivat.

A ka sjellë reforma më shumë pavarësi të gjykatësve dhe prokurorëve? 60.9% e qytetaëve, mendojnë se drejtësia e sotme nuk është më e pavarur se drejtësia para reformës.

A është pastruar sistemi nga korrupsioni? Është i vetmi objektiv që shqiptarët mendojnë se është arritur. 55.2% mendojnë se po. Është e vetmja ku shumica mendon se është arritur diçka.

A ka sjellë reforma dënimin e politikanëve të korruptuar? 57.6% mëndojnë se nuk kanë sjellë rezultate.

A ka sjelle reforma rezultate kundër krimit të organizuar? 52.4% mendojnë se nuk ka sjellë rezultate.  

A ka sjellë reforma në drejtësi, më shumë drejtësi për qytetarët e thjeshtë? 59.1% mendojnë se nuk ka sjellë", shpjegoi Sejamini në TPZ.