AKTUALITET, 20 Qershor 2022, 22:36

Vonesa të tmerrshme me gjyqet në Shqipëri/ Avokati: Edhe Edi Rama ka katër vjet në një gjyq! Gjendja do të shkojë më keq

Vonesa të tmerrshme me gjyqet në Shqipëri/ Avokati: Edhe Edi Rama
Dorian Matlija dhe Edi Rama

Një nga problemet më të mëdha që ka prodhuar reforma në drejtësi, është vonesa të shumta në gjyqe dhe krijimi i mijëra dosjeve të cilat kanë ngecur duke paralizuar sitemin. 

Dorjan Matlija, e ilustroi këtë me një shembull konkret, të kryeministrit Rama i cili ka katër vjet në një gjyq në shkallën e parë. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Dorian Matlija tha se një nga problemet kryesore të drejtësisë sot janë vonesat dhe kjo pritet të përkeqësohet me hartën e re gjyqësore. 

"Edhe vetë Edi Rama ka katër vjet në gjykatën e shkallës së parë. Edhe ai vetë nuk i zgjidh dot punët e veta. Imagjino si do të shkojë, shumë më rëndë. Pas pesë vitesh do të shohim sa shumë do të jenë akumuluar.

Nuk ka kapacitet gjykata. Edhe sikur të ishte me personel të plotë, nuk do të arrinte dot ta përballonte. Shtohet tani edhe katrahura e hartës gjyqësore.

Ky nuk është problem teknik, por politik, sepse nuk ka vullnet për ta zgjidhur.

***

Pengesa më kryesore nga të gjitha është ideja e vonesës. Kur kontaktoj me klientë, gjëja e parë që më pyesin, sa kushton dhe sa zgjat dhe sa shanse ka. I them ka shanse, kushton pak, sepse e zgjidhim nëse nuk ke para, por kohën nuk ta garanton askush. Zgjidhet pas 7-8 vjetësh dhe dekurajohen.

Ambasadorja e SHBA, na fton ta shohim drejtësinë nëpërmjet një tuneli, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo nuk përfaqëson problemet e vërteta të shqiptarëve.

Krimi i organizuar, janë si karamela për lajmet. Të jetosh në mizerabilitet gjithë ditën dhe pastaj të kënaqesh në darkë me lajmet", tha ndër të tjera Matlija.