AKTUALITET, 23 Shkurt 2024, 18:53

Rriten gjobat për ndotjen e ajrit/ Projektligji: Masa administrative 30% më të larta për shkelësit

Rriten gjobat për ndotjen e ajrit/ Projektligji: Masa administrative 30%

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kërkon rritjen e masës së gjobave për shkeljet në kryhen në drejtim të ndotjes së ajrit. Sipas ndryshimeve ligjore të nxjerra për konsultim publik, rritja e masave administrative parashikohet në masën 30%, duke synuar që përmes penalizimeve më të rënda të ketë një përmirësim në drejtim të cilësisë së ajrit.

Sipas propozimeve të reja, operatorët që disponojnë leje mjedisi të tipit A, ku futen ato aktivitete që shkaktojnë dhe ndotjen më të lartë në mjedis, masa e gjobave në rast të mosrespektimit të kushteve do të variojë nga 1.3 – 2.6 mln lekë. Për lejet mjedisore të tipit B, gjobat do të variojnë nga 390 – 650 mijë lekë. Paralelisht, ndryshimet ligjore parashikojnë kthimin e kundravajtjeve administrative në titull ekzekutiv, me qëllim mbledhjen e tyre nga zyra e përmbarimit.

Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin ndotja e ajrit është një nga rreziqet më të mëdha mjedisore për shëndetin e njeriut. Ndërkohë që, ashpërsimi i gjobave parashikohet të ndikojë në ndërgjegjësimin më të madh të personave fizikë apo juridikë për të forcuar masat që duhen marrë për parandalimin, kontrollin dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër, duke ndikuar kështu në uljen e niveleve të ndotjes së ajrit dhe ndikimin që ai ka në shëndetin e njeriut si përshembull uljen e rasteve të sëmundjeve respiratore dhe atyre kardiovaskulare.