AKTUALITET, 23 Shkurt 2024, 18:42

Sëmundjet tumorale po shtohen me shpejtësi, mjekët thirrje për rivendosjen e ligjit antiduhan

Sëmundjet tumorale po shtohen me shpejtësi, mjekët thirrje

Sëmundjet tumorale po prekin gjithnjë e më shumë njerëz dhe për fat të keq dhe mosha shumë të reja.

Shefja e shërbimit të Spitalit Onkologjik thotë se vendin e parë e zë kanceri i mushkërive që ka edhe vdekshmërinë më të lartë.

“Sot kanceri fatkeqësisht është gjithmonë në rritje dhe po prek jo vetëm moshat e avancuara por ka filluar të ketë edhe një ulje të moshës mesatare në të gjithë popullatën. Në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në Europë ka disa kancere, të cilat zënë vendin e parë, siç është ai i pulmonit që prek kryesisht seksin mashkull, por që fatkeqësisht ka filluar të prekë edhe seksin femër. Nga ana tjetër, duke qenë se këto kancere nuk japin shenja shumë të mëdha, ato e fshehin klinikën dhe sigurisht pacientët paraqiten në spital në faza të vonshme. Mbijetesa e tyre 5-vjeçare bie jashtëzakonsisht shumë,” thotë Slivana Çeliku, shefe e shërbimit të onkologjisë në QSUT.

Mjekja tregon se nga po na vjen edhe e keqja më e madhe. “Shkaku kryesor është pirja e duhanit. Unë këtu do doja të bëja një rithirrje për rivendosjen e ligjit kundër duhanit nëpër të gjitha ambientet publike, sepse ai dëmton jo vetëm atë që e pi, por edhe atë që ka në krah. Është pikërisht kjo arsye që unë mendoj që kanceri i pulmonit mund të parandalohet duke eliminuar faktorët që e shkaktojnë atë,” shton Dr. Çeliku.