AKTUALITET, 5 Korrik 2023, 22:55

Kurti e refuzoi, Osmani konfirmon takimin me Ramën në Prishtinë

Kurti e refuzoi, Osmani konfirmon takimin me Ramën në Prishtinë
Rama dhe Osmani

Kryeministri Edi Rama do të nisë nesër një tur ballkanik, në datat 6 dhe 7 korrik, ku do të zhvillojë takime në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë.

Kreu i qeverisë mësohet se do ta nisë turin me Maqedoninë e Veriut dhe më pas do të shkojë në Kosovë, ndërsa ditën e premte ai pritet të jetë në Mal të Zi, Serbi dhe Sarajevë.

Sipas raportimeve kryeministri Rama do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do të presë në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi do të zhvillohet në ora 16:00, siç ka njoftuar zyra e presidentes.

Mbledhjen mes dy qeverive e kishte anuluar Rama për shkak të situatës në Veri. Ai kishte thënë se përderisa gjendja nuk është normale nuk munden dy qeveri të nënshkruajnë marrëveshje për bujqësi, ku situata është e tensionuar në një pjesë të Kosovës. 

Kurti kushtëzoi takimin me Ramën, ku i kërkoi këtij të fundit zhvillimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive, pasi përndryshe nuk e takon.

Duke e cilësuar si të paarsyeshëm vendimin e kryeministrit shqiptar për të anuluar mbledhjen e dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, Kurti u shpreh se do të mirëpriste Ramën të zhvillonin mbledhjeve e të firmosnin 13 marrëveshjet e përbashkëta për të cilat ishin dakordësuar më parë.