AKTUALITET, 20 Shtator 2022, 21:12

Qeveria kërkon të amnistojë pa ligj oligarkët e kateve pa leje në Tiranë

Qeveria kërkon të amnistojë pa ligj oligarkët e kateve pa
Foto ilustrim

Gjatë një ceremonie prezantimi të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit më 7 shtator, kryeministri Edi Rama lëshoi papritur një mori akuzash për abuzimet me lejet e ndërtimit në Tiranë. Rama foli për mijëra metra katrorë pa leje në sheshin “Skënderbej” dhe i kërcënoi ‘ndërtuesit milionerë’ se do t’i shlyenin mëkatet vetëm duke i dhuruar katet shtesë.

“Ta dhurojnë për popullin dhe për shtetin çdo kat dhe çdo metër katror shtesë…,” deklaroi Rama me tone populiste.

Por kryeministri foli gjithashtu për falje dhe u ofroi ndërtuesve një komardare shpëtimi nga ndjekja penale.

Mesazhi i Ramës u përforcua nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilët ekspozuan si të paligjshme karabinatë e dy pallateve në pronësi të dy kompanive të mëdha të ndërtimit në Tiranë.

“Nëse zgjedh opsionet e para menjëherë fillon procedura e legalizimit… Dhe shpëton nga ndjekja penale,” tha Çuçi në një video që u transmetua në faqen e tij në Facebook.

Ndërtimi pa leje është krim në Shqipëri dhe Kodi Penal parashikon dënime deri në 5 vjet burg për qytetarët e zakonshëm dhe 8 vjet burg për objektet me qëllime fitimi.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave i anashkaloi këto sanksione përmes një vendimi të miratuar më 7 shtator, i cili u jep ndërtuesve të mëdhenj një mundësi për t’i ligjëruar shtesat apo godinat e paligjshme, në këmbim të një pagese financiare apo dhënies së sipërfaqeve në favor të shtetit.

Vendimi parashikon procedurat e transferimit të sipërfaqeve të paligjshme nga subjektet private te shteti dhe anasjelltas dhe nuk e përmend në mënyrë eksplicite ndjekjen penale.

Për ekspertët e ligjit, ky vendim përbën një anashkalim të rendit juridik si dhe vendos një standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm.

“Është paradoks të ndërtosh kate pa leje dhe të mos përgjigjesh penalisht, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë penalizohen edhe për gjëra shumë më të vogla,” i tha BIRN Ervin Metalla, ish-gjyqtar dhe tashmë avokat.

“Kjo nuk mund të bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Vetëm një ligj [amnistie] mund të dekriminalizojë një vepër penale edhe nëse është në ndjekje penale,” shtoi ai.

Vendimi i qeverisë kundërshtohet edhe nga opozita, e cila po bëhet gati ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetit demokrat, Gazmend Bardhi, qeveria po merrte në mbrojtje ‘oligarkët e ndërtimit të kullave pa leje në mes të Tiranës”.

Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga mohoi se qeveria po bënte një amnisti penale përmes VKM-së dhe këmbënguli se ndërtuesit do t’i paguanin “sa frëngu pulën” shtesat pa leje.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave të cilit ju i referoheni nuk synon të ndikojë raportet mes sipërmarrësve private dhe organeve të drejtësisë,” tha Fuga.

I pyetur specifikisht se pse Rama dhe ministrat premtonin ndalim të ndjekjes penale, Fuga dha përgjigje kontradiktore. Ai shtoi gjithashtu se vendimi do të rikthente “në ligjshmëri sipërfaqet e ndërtimit pa leje” dhe do i fuste sipërmarrësit brenda një “kornize të re përgjegjshmërie”.

Përplasja me hetimet

Kullat shumëkatëshe në qendër të Tiranës. Foto: LSA
Mungesa e kontrollit të territorit dhe ndërtimet pa leje kanë qenë një nga problemet themelore me të cilat janë përballur të gjitha qeveritë e tranzicionit në Shqipëri që pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90.

Vetëm në 5 vitet e fundit, 3415 persona janë dënuar për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”, ndërsa mijëra të tjerë janë përballur me ndjekje penale dhe sanksione administrative.

Që prej miratimit të VKM-së “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”, përfaqësues të lartë të qeverisë kanë ekspozuar dy ndërtime në shkelje të lejeve të miratuara, të cilat mund të jenë objekt i këtij vendimi.

Njëri prej pallateve karabina i përket kompanisë “Xheluks Construksion” shpk me administrator biznesmenin Julian Morina, ndërsa  godina tjetër kompanisë “Salillari” – një ndër kontraktorët më të mëdhenj të punëve publike.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se të dyja objektet ishin prej kohësh në proces hetimi.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ndërtimi i kompanisë “Xheluks Construksion” ishte në hetim prej majit 2021, ndërsa hetimet e kryera nga kompania “Salillari” kishin filluar këtë vit.

“Hetimet kanë nisur fillimisht mbi bazë të materialeve të referuara nga Komisariati i Policisë nr.1 Tiranë”, tha Prokuroria e Tiranës në një përgjigje zyrtare për BIRN. Prokuroria tha se po verifikonte edhe ndërtime të tjera të denoncuara publikisht.

Një prokuror i Prokurorisë së Tiranës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se organi i akuzës do t’i vazhdonte hetimet dhe se VKM-ja nuk i shpëtonte ndërtuesit nga ndjekja penale. “Vetëm përmes një ligji amnistie,” tha ai, duke nënkuptuar mundësinë për pushimin e ndjekjes penale.

Për opozitën, vendimi i qeverisë është një përpjekje për amnisti, pa ia vënë këtë emër dhe pa kaluar përmes Parlamentit, ku duhen 84 vota.

“Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve,” tha Bardhi në lajmërimin se VKM do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese.

“Situatë e paqartë ligjore”

Legjislacioni aktual parashikon konfiskim të ndërtimeve pa leje të ndërtuara për qëllime fitimi dhe ndryshe nga sa synohet përmes VKM, nuk “i kërkon dorën” ndërtuesit shkelës për ta arritur këtë.

Kodi Penal në nenin 36 i kërkon gjykatës që detyrimisht të konfiskojë dhe kalojë në favor të shtetit mjetet që kanë shërbyer për të kryer veprën penale dhe produket e kësaj vepre, “ku përfshihet çdo lloj pasurie” apo edhe përfitimet prej saj, nëse ka pasur të tilla.

Në plotësim të Kodit, edhe ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” parashikon konfiskimin e shtesave apo ndërtimeve pa leje. I ndryshuar për herë të fundit në vitin 2020, ky ligj parashikon se ndërtimi pa leje prishet nëse është nën 2 për qind të volumit të ndërtimit dhe konfiskohet nëse është nga 2 deri në 10 për qind e volumit të ndërtimit dhe përmbush kriteret teknike për të mos u prishur.

Nëse leja është tejkaluar mbi 10 për qind të volumit, e gjithë godina në të cilën është ndërtuar konfiskohet në favor të shtetit.

VKM i ka neglizhuar të dy ligjet dhe përmes një formule akrobatike u kërkon ndërtuesve të përfshihen në një proces, që ua legalizon shtesat në bazë të të cilit ata paguajnë një gjobë dhe çmimin e sipërfaqes së ndërtuar, bazuar në vlerën e tregut. Ata mundet gjithashtu që ta dhurojnë sipërfaqen te qeveria.

Sipas deputetit demokrat, Gazmend Bardhi, e gjithë kjo sipërmarrje e qeverisë është “akt për favorizimin e oligarkëve”, e cila po shitet si “luftë kundër milionerëve”.

Bardhi pretendoi gjithashtu se VKM ishte antikushtetuese sepse “cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe hierarkinë e akteve normative”.

Në të kundërt, qeveria mohon se përfituesit po marrin një trajtim preferencial.

Fuga i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se VKM-ja rregullonte procedura që nuk mund të ndiqeshin përmes Kodit Penal dhe se vetë ndërtuesit do të angazhoheshin të plotësonin dokumentacionin për gjendjen teknike të godinës.

Ai po ashtu pretendoi se në proces ishin përfshirë ndërkohë të tretë si blerës dhe se ndjekja penale e komplikonte situatën e tyre, ndërsa VKM u ofronte atyre legalizim të apartamenteve apo dyqaneve.

“Në këtë formë, sipërfaqja jashtë lejes së ndërtimit ligjërohet duke u regjistruar dhe njëkohësisht shtetit i vihen në dispozicion burime financiare apo sipërfaqe ndërtimi,” tha Fuga përmes një përgjigje me shkrim.

Avokati Ervin Metalla i tha BIRN se vendimi i qeverisë i shtohej një korpusi ligjesh mbi ndërtimet pa leje që e bënin situatën ligjore edhe më të paqartë. Sipas tij, këto ndryshime bëheshin për shkak se ligjet ekzistuese nuk ishin zbatuar.

“Paqartësia e kuadrit ligjor dhe nënligjor lidhur me fatin e ndërtimeve pa leje dhe autorëve të tyre buron edhe nga mbivendosja e shumë akteve ligjore apo nënligjore që miratohen për të kuruar problemet e krijuara nga moszbatimi i kuadrit rregullator ekzistues,” përfundoi Metalla. /BIRN