AKTUALITET, 20 Shtator 2022, 16:34

Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor në dhjetor, mediat serbe: Mund të mbahet në Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut. Pse përjashtohet Beogradi

Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor në dhjetor, mediat serbe:

Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në fillim të dhjetorit, për herë të parë në një nga vendet e rajonit, që me shumë gjasa mund të jetë Shqipëria ose Maqedonia e Veriut. Ky lajm është bërë i ditur nga media serbe RTS, e cila i referohet burimeve diplomatike nga Brukseli.

Kjo media shkruan ndër të tjera se “Shqipëria ose Maqedonia e Veriut janë dy vende që po vlerësohen për organizimin e këtij samiti të rëndësishëm, ndërsa Serbia është përjashtuar si opsion për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.

Më tej në shkrimin e medias serbe thuhet se “ky takim duhet të japë një sinjal të ri, të fortë të përkushtimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, me një mesazh për vendet e rajonit që të përfitojnë nga mjedisi politik i krijuar rishtazi në Evropë, në mënyrë që të përmirësohet procesi i anëtarësimit.”

“Është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos qëndrojnë mënjanë dhe të humbasin momentin për përparim më të shpejtë”, thonë burime diplomatike dhe vlerësojnë se në muajt në vijim do të kërkohen rrugë për progres konkret në çështje si fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut, progres më konkret në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, statusi kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën dhe kërkesa e Prishtinës për liberalizimin e vizave.