AKTUALITET, 25 Dhjetor 2022, 11:13

Ndarja nga jeta e Franko Frattinit, Meta: Një përkrahës i jashtëzakonshëm i liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Ndarja nga jeta e Franko Frattinit, Meta: Një përkrahës i

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Jashtëm italian, Franko Frattinit.

Përmes një postimi në facebook Meta shkruan se Frattini ka qenë një mik i madh i shqiptarëve dhe mbështetës i vendosur i liberalizimit të vizave për vendin tonë.

Kreu i PL i shpreh ngushëllimet  e ndjera familjes së të ndjerit por dhe gjithë popullit italian.

Postimi i Metës:

Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.

Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!