AKTUALITET, 4 Qershor 2023, 18:49

Mungesa e ekstradimeve nga Dubai, shefi i SPAK-ut ia lë përgjegjësinë qeverisë

Mungesa e ekstradimeve nga Dubai, shefi i SPAK-ut ia lë
Altin Dumani

“Prokuroria e Posaçme e gjeti veten në vështirësi, teksa shpallte në kërkim dhe lokalizonte drejtues të grupeve kriminale, apo porositës të krimeve të ndryshme në vend dhe nuk realizonte dot ekstradimet e tyre nga Dubai. Për shkak të mungesës së marrëveshjeve dhe mosqenia pjesë e konventave ndërkombëtare për ekstradimet, i bën Emiratet e Bashkuara Arabe, një problem me të cilin hasen autoritetet në të gjithë botën dhe që për Shqipërinë u bë i prekshëm më së shumti në 3 vitet e fundit”, raportoi Tv Klan.

Refuzimin e parë SPAK e mori për ekstradimin e Plaurent Dervishajt në 2020, i cili ka në Gjykatën e Posaçme të hapur dy procese si pjesëmarrës dhe organizator në atentate të ndryshme.

Një vit më vonë, të njëjtin fat pati edhe kërkesa për Florenc Çapjen, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm. Por çfarë mund të bëj Shqipëria për këtë, teksa dy rastet e mësipërme nuk janë të vetmet?

I pyetur nga Televizioni Klan, drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ia pasoi “topin” e përgjegjësisë qeverisë.

Altin Dumani, drejtues i SPAK: Prokuroria e Posaçme ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe. Ekstradimi nga Emiratet e  Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim.

Edhe për juristin Eugen Beçi, çështja është në dorën e qeverisë, por zgjidhja në dorën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Eugen Beçi, jurist: Siç kërkoi qeveria shqiptare në vitin 2022 të lidhte marrëveshje për sigurinë kundër krimit kibernetik dhe për sigurinë kundër akteve terroriste mund të kërkojë edhe diçka të tillë përsa i përket ekstradimit për të zgjidhur këtë ngërç procedural.

Ndërkohë, aktualisht shanset e ekstradimeve nga Dubai sipas Beçit, janë zero.

"Mekanizmat ligjorë për ekstradimin e tyre për momentin që flasim janë zero. Nuk ka asnjë konventë, nuk ka asnjë marrëveshje dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë konventë ndërkombëtare që mund të zgjidhë këtë situatë"-tha ai.

Televizioni Klan u interesua pranë Ministrisë së Drejtësisë, nëse ka lëvizje konkrete nga kjo e fundit për të iniciuar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk mori një përgjigje, duke e konsideruar çështjen si mjaftë sensitive.