TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputetja e PL-së Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar nga pedagogët dhe studentët në nisjen e vitit të ri akademik, duke shprehur mbështetjen ndaj tyre.
Në deklaratën për mediat, Xhixo ka theksuar se ky vit akademik i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë, pasi në auditore sot u ulën rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.
Sipas Xhixhos, qeveria shqiptare ka ofruar zero mbështetje për studentët në paketën e fundit të Rezistencës Sociale dhe se ata nuk ekzistojnë si kategori që duhet mbështetur.
Deklarata e plote e deputetes Erisa Xhixho
Të nderuar qytetarë,
Sot dua te uroj një vit të mbarë akademik për gjithë studentët e sidomos për studentët që ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve. Një urim për pedagogët dhe stafet akademike, për punën e tyre të palodhur, përkushtimin dhe pasionin e tyre për këtë detyrë fisnike.
Por ky vit akademik i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë.
Të braktisura nga një pjesë e madhe e studentëve që zgjedhin të largohen nga vendi, universitetet shqiptare hapin sot dyert ndryshe nga vitet e tjera.
■ Në auditoret e universiteteve u ulën sot rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.
Mbi 11 mijë aplikime janë bërë nga maturantët shqiptarë në universitetet e huaja. Pra, një në tre maturantë ka zgjedhur të shkollohet jashtë.
Përgjatë viteve të fundit kemi humbur rreth 50 mijë studentë.
■ Interesi për degët prioritare që u incentivuan nga qeveria është pothuaj zero, një tjetër politikë e dështuar.
Degët e mësuesisë janë gjithnjë e më pak të kërkuara, sepse mësuesi nuk paguhet të paktën sa kolegët e tij në rajon.
■ Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Fizikë janë regjistruar vetëm 10 studentë, në Kimi 12 dhe në Matematikë 25 studentë. Bëjeni llogari vetë cila do të jetë e ardhmja e mësimdhënies në Shqipëri, nëse do të vijohet me këto ritme.
■ Degë si peshkimi apo zooteknika rrezikojnë mbylljen, pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë.
■ Në universitetet e rretheve, regjistrimet tkurren në mënyrë progresive çdo vit. Universiteti i Gjirokastrës hap sot dyert me ¼ e numrit të studentëve që kishte disa vite më parë.
Kjo është përgjigjja që të rinjtë shqiptarë po i japin kësaj qeverie dhe politikave të saj arsimore të dështuara.
E nisim këtë vit akademik me pedagogët që janë në grevë dhe protestë prej javësh sepse janë të keqpaguar, dhe me financime për kërkimin janë të fundit në rajon.
Prej javësh, kërkesës së tyre të drejtë për rritjen e pagës të paktën sa kolegët e tyre ne Kosovë, qeveria i është përgjigjur me arrogancë dhe me mospërfillje.
Për të ardhur në përgjigjen tallëse për një rritje 7% nga qeveria, e cila çuditërisht ka para për instalacion argëtues për Kryeministrin me vlerë 4 milion euro, por kur vjen puna për të paguar në mënyrë dinjitoze pedagogët nuk ka.
Kjo qeveri nuk ka para as për rritjen e financimit të kërkimit shkencor të paktën në 0.3% PPB, ndërkohë që edhe në progres raportin e fundit të BE-së theksohej që është shumë larg standardit të BE, i cili duhet të jetë 1% e PPB.
Po për studentët çfarë mbështetjeje ka kjo qeveri në këtë krizë të rëndë ekonomike që po kalojmë?
Zero mbështetje për studentët në paketën e fundit të Rezistencës Sociale. Për këtë qeveri, ata nuk ekzistojnë si kategori që duhet mbështetur.
Studentët e nisin këtë vit akademik në vështirësi shumë të mëdha financiare. Të prekur direkt nga rritja e çmimeve, mijëra studentë dhe familjet e tyre duhet të përballen sot me qiratë që nisin nga 300 euro, çmimin e rritur të ushqimit, kostot e shtuara të transportit ,kostot e rritura te librave, veshjeve etj.
Javë të tëra proteste, me një peticion online që ka marrë 6 mijë firma dhe çfarë kërkuan? Mbështetje financiare sa Kosova, 100 euro mbështetje mujore sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.
Ende sot, në ditën e parë të këtij viti akademik, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria.
Nuk ka asnjë vendimmarrje për ta, asnjë mbështetje.
Në vend të deklaratave plot propagandë, qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të marrin vendime, të bëjnë detyrën e të mbështesin studentët, e pedagogët. Këtë duhej të bënin sot.
Por nuk mund ta bëjnë sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e shohin zhvillimin tek krimi e jo tek arsimi.
Kjo qeveri nuk e ka arsimin prioritet.
Kjo qeveri e ka rishikuar buxhetin dy herë gjatë këtij viti. Në mars e ka shkurtuar në mënyrë të veçantë buxhetin e arsimit me universitar dhe fondet për kërkimin shkencor.
Buxheti për universitetet nuk u rrit as me aktin normativ të korrikut, pavarësisht se të ardhurat në buxhet u rritën për shkak të rritjes së çmimeve me plot 500 milion euro .
Pra ndërsa qeveria pasurohet, studentët, pedagogët, qytetarët varfërohen çdo ditë.
Ndaj ne besojmë që është emergjente që arsimi të kthehet në prioritet kombëtar pasi vetëm në këtë mënyrë mund të frenojmë largimin masiv të të rinjve dhe intelektualëve të vendit si pjesë e axhendës së Rilindjes për shpopulllimin e vendit.
Ndaj mbështesim fuqimisht protestën e pedagogëve dhe studentëve, të cilët janë bashkë në këtë betejë për dinjitet dhe arsim cilësor.