AKTUALITET, 17 Tetor 2022, 11:08

Bojkoti i pedagogëve, Biberaj: Protesta do të vazhdojë deri sa të përmbushen kërkesat

Bojkoti i pedagogëve, Biberaj: Protesta do të vazhdojë deri sa

Pedagogu Aleksandër Biberaj ka deklaruar se protesta do të vazhdojë deri sa të përmbushen kërkesat e tyre.

Për mediat, ai u shpreh se qeveria nuk po pranon që të diskutojë kërkesat e tyre, duke i vënë në lojë ato. Po ashtu Biberaj u shpreh se pagat në Shqipëri janë qesharake dhe se duhen që të ngrihen në nivelin e vendeve të tjera të rajonit. Po ashtu Biberaj u ka bërë thirrje studentëve që të bashkohen në protestën e tyre. 

"Nuk do të ketë proces mësimor për sa kohë nuk realizohen kërkesat tona. Nuk ka proces mësimor pa u realizuar kërkesat tona.

Ne kemi pasur në orën 9 një takim me studentë të viteve të para. Por proces mësimor nuk ka. Mund të ketë profesorë që mund të zhvillojnë ndonjë orë por është një maxhorancë absolute që mbështet protestën. Kemi përballë një qeverisje që nuk merr vesh nga kërkesat por edhe tallet.

Janë të gjitha kërkesa të realizueshme. Është kryeneçësia e qeverisjes që nuk pranon të debatojë dhe as të negociojë. 15% është qesharake.

Pagat tona janë qesharake. Unë kam një profesoreshë këtu me 40 vite punë dhe nuk merr as 1 milion lekë të vjetra. Nuk po kërkojmë luks.

I dimë situatat ku po kalon vendi por një përafrim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.  Minimumi duhet të ishte 50%. Profesorë të rinj nuk guxojnë të krijojnë familje dhe të marrin një shtëpi. Nuk i njeh kjo qeveri negociatat. Një profesor i papaguar është e vështirë te jetë profesor i mirë në auditor. Paga është edhe dinjitet.

Duhet parë në këndvështrim më të përgjithshëm. Është një analizë shkak pasojë që bëhet. Studentët po bashkohen me protestën tonë.

Duke qenë se niveli i pagave është në minimum ka kolegë që detyrohen të bëjnë disa punë. Nuk ka profesor në perëndim që bën disa punë. Unë jam për të vazhduar protestën nën stop.

Unë shpreh opinionin tim dhe të kolegëve. Secili ka mendimet e veta. Është një maxhorancë absolute që bashkohet me këtë lëvizje.

Efekti buxhetor është disa milionë euro. Studentët me kë do bëjnë mësim nëse nuk futemi në auditor. Kurrikula do realizohet. Sot është dita e parë, kemi mirëkuptim të plotë nga ana e tyre”, u shpreh Biberaj.