AKTUALITET, 17 Tetor 2022, 11:20

Zgjedhjet vendore, mblidhet kryesia e Partisë Socialiste, Rama: U ndanë detyrat për nisjen e fushatës

Zgjedhjet vendore, mblidhet kryesia e Partisë Socialiste, Rama: U

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kryesinë e Partisë Socialiste. Në fokus të kësaj mbledhjeje janë përgatitjet për zgjedhjet vendore në vitin e ardhshëm. Në fjalën e tij për mediat Rama tha se në mbledhje ishin ndarë detyrat për nisjen e fushatës.

Kryeqeveritari shtoi se duke nisur nga nesër, përfaqësuesit e PS do të kenë takime në terren me qytetarët dhe komunitetet e ndryshme të vendit.

“Jemi mbledhur për të ndërmarrë edhe detyrat për nisjen e fushatës së zgjedhjeve vendore. Në bazë të kësaj, nis aktiviteti që nesër dhe shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrë në një kërcënimi të madh botërisht. Ne si pjesë e Europës jemi të detyruar të përballemi me kërcënime që vijnë nga një agresion në dyert europiane.

Kjo ka sjellë përveç krimeve të panumërta në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, por edhe në Europë dhe në Shqipëri. Kostot që i paguajmë veprimeve të një diktatori si Putin.

Por edhe pse nuk e sollëm ne inflacionin na takon të bëjmë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi shpatullat e familjeve. Për këtë arsye do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi. Po finalizojmë buxhetin e vitit të ardhshëm i cili është dyfishi i buxhetit të vitit 2013.

Do të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje tek plani për të mbrojtur familjet nga çmimi i energjisë. Unë uroj të kemi shiun e nevojshëm pasi dihet se jemi të varur nga burimet ujore.

Duke pasur më shumë prurje shiu, do kemi më pak nevojë të dalim në një treg. Edhe sikur të kemi plot hidrocentralet, Shqipëria nuk prodhon për të përmbushur të gjithë nevojat. Jemi të bindur se do e përballojmë këtë dimër që do jetë i vështirë.”, tha Rama.