AKTUALITET, 30 Nëntor 2023, 20:24

Lejoi kalimin e drogës drejt Greqisë/ Kryekomisari shoqëroi Lorenc Likën të kalonte kufirin, ushtroi presion ndaj punonjësve të pikës kufitare

Lejoi kalimin e drogës drejt Greqisë/ Kryekomisari shoqëroi

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arrestimin e kryekomisarit të Korçës Stiljan Pasho nga AMP. Ndalimi i Pashos, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit, u krye në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve“.

Ai akuzohet se ka lejuar kalimin e Lorenco Likës me 26 kg kanabis në makinën e tij. Informacioni për Pashën ka qenë i administruar nga sektori i AMP Korçë, të cilët në bashkëpunim me prokurorinë, kanë nisur një procedim penal të ndjekur me metoda speciale, prej disa javësh. Nga hetimet rezulton se kryekomisari ka shoqëruar shtetasin Lorenco Lika për të kaluar mjetin tip “Passat” nga Kapshtica drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin dhe më pas është kthyer në doganë. Në disa raste, ky punonjës policie ka lëvizur disa herë me mjetin e shtetasit të arrestuar nga policia greke dhe një shtetas tjetër, fakt i provuar edhe nga sistemi Tims dhe kamerat e sigurisë.

Nga deklarimet e punonjësve të P.K.K Kapshticë rezulton se ata kanë pranuar se kanë qenë nën presion nga kryekomisari për të mos kontrolluar këtë mjet. Droga ndodhej në pjesën e bombolës së gazit në bagazh. Informacionet janë përcjellë tek homologët grekë të cilët bënë kapjen e drogës dhe arrestimin e dy të rinjve tre ditë më parë në Follorinë