AKTUALITET, 17 Mars 2023, 10:44

Kryetari socialist i Bashkisë së Krujës paraqitet në SPAK

Kryetari socialist i Bashkisë së Krujës paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme.

Nuk dihet ende arsyeja e marrjes në pyetje të kryebashkiakut socialist në organin e akuzës.

Artur Bushi mban postin e kryetarit të Bashkisë së Krujës që prej gushtit të vitit 2015.

Kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, rezulton një nga zyrtarët lokalë më të denoncuar në Prokurorinë e Posaçme, me 7 kallëzime penale ndaj tij.

Për tri nga denoncimet është vendosur regjistrimi i procedimit penal për verifikimin e faktit, por pa nisur hetimet ndaj Artur Bushit.

Ndërkohë dy padi të tjera nuk janë pranuar nga SPAk, dhe grupi i hetimit ka vendosur dërgimin e tyre për kompetencë në prokurori të tjera, dhe për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi për shkak të mungesës së provave ose për shkak se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Ai u përfshi në politikën lokale pas kthimit në Shqipëri nga Italia, duke u zgjedhur kryetar i Komunës Thumanë, në vitin 2011. Dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, për deputet në qarkun e Durrësit dhe fitoi mandatin.

Në gusht 2015, ai u bë kryetar bashkie në Krujë ndërkohë që një investigim i BIRN po atë vit zbuloi se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.

Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane.

Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.

Thirrja e Artur Bushit në SPAK, vjen një ditë pas arrestimit të një tjetër kryebashkiaku socialist. Lefter Alla u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pas dyshimeve për abuzimin në tenderin 2.8 mln euro të ujësjellësit të Bulqizës.