AKTUALITET, 23 Shkurt 2024, 21:20

Jorida Tabaku deklaron se është pjesë e grupit të Gazment Bardhit: Procesi i bashkimit duhet të vazhdojë

Jorida Tabaku deklaron se është pjesë e grupit të Gazment

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se është pjesë grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi dhe se procesi i bashkimit të partisë duhet të vazhdojë.

“Nuk ka asnjë diskutim që unë jam pjesë e grupit parlamentar. Ky është një proces dhe nuk e ndajmë dot me thikë “e bëtë apo nuk e bëtë”. Ky është një proces që unë besoj se do të vazhdojë dhe dëshira imë është që në këtë proces të bashkohet çdo zë opozitar. Me zotin Bardhi kam luksin që të bie dakord dhe të mos bie dakord. Ai është edhe miku im. Psh, unë nuk bie dakord me të dhe me vendimin e grupit për aksionin në Parlament. Arsyet janë të drejta, por mënyra sesi po shkojnë gjërat, mendoj se nuk po na ndihmojnë. Sepse bashkimi i partisë pa lënë jashtë askënd, në frymën e konfederatës, bashkë me protestën, bashkë me Parlamentin, duhej të kombinoheshin të gjitha bashkë”, thotë ajo.

Sipas saj, Partisë Demokratike i duhet çdo zë opozitar. “PD-së i duhet bashkimi i çdo zëri opozitar, i duhet kushdo. PD-së i duhet të kalojë përtej individëve. I duhet të kalojë tek qytetarët. Secili prej nesh duhet të tejkalojë veten. Unë e kam dhënë shembullin tim, kam dhënë dorëheqjen nga pozicionet që kam patur.

Tani, unë po përpiqem të bëj opozitë duke marrë pjesë në protestë, duke plotësuar me sa mundem hapësirën e lënë bosh në komisionet parlamentare, po përpiqem t’u flas njerëzve dhe t’i jap kohë këtij procesi bashkimi për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme edhe me idenë e konfederatës që i mbledh të gjitha palët bashkë. Debati më i madh që kam me kolegun dhe mikun tim Gazment Bardhi është që grupi parlamentar duhet të përdorë çdo hapësirë, duhet të përdorë Parlamentin, duhet të përdorim çdo forum”, tha ajo në TVSH.