AKTUALITET, 22 Shkurt 2024, 12:13

Delegacioni i BE reagon për miratimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura: Legjislacioni të përputhet me standardet evropiane

Delegacioni i BE reagon për miratimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura:

Kuvendi ka miratuar projektligjit për zonat e mbrojtura me 74 vota pro.

Ndryshimet në “Ligjin për Zonat e Mbrojtura” i hapin rrugë ndërtimit në këto zona, pasi u jep të drejtën bashkive të menaxhojnë të paktën  20% të territorit të tyre. Nisma u paraqit në Kuvend nga 12 deputetë të mazhorancës, të cilët argumentuan se projektligji i ri do të ndalë shpopullimin. Mirëpo, ekspertët mjedisorë paralajmëruan se projektligji zhduk përfundimisht Zonat e Mbrojtura, me Nartën në krye të listës pasuar nga zona të tjera në bregdet, me pasoja shkatërruese për florën dhe faunën.  

Nëpërmjet një projektligji të depozituar në Kuvend në muajin nëntor, firmosur nga 12 deputetë të Partisë Socialiste u kërkua ndryshimi i Ligjit Nr. 81/2017 “Per zonat e mbrojtura”. Disa nga ndryshimet e propozuara lidhen me kompetencat e bashkive në Zonat e Mbrojtura dhe lejimin e ndërtimeve në këto zona.

Neni 6 i projektiligjit: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 81/2017 Për zonat e mbrojtura” përcakton: “Në nenin 8, pas pikës 3 shtohet pika 3/1 me permbajtje: “3/1. Në çdo rast, Bashkia përkatëse administron jo më pak se 20% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura që janë në territorin e kësaj bashkie”.

Në propozimin për ndryshimin në nenin 16, ku përfshihen Parqet Kombëtare theksohet se lejohen projekte të miratuara nga KKT, të propozuara nga Ministria e Mjedisit apo bashkitë. 

Pas votimit në Kuvend vetëm me votat e shumicës, Delegacioni i BE reagon për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të konvergojë drejt standardeve evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi temat e mbuluara nga acquis e BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në përputhje me kuadrin ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.