AKTUALITET, 10 Shtator 2024, 11:53

'Burgu në komunizëm...'/ KQZ nuk e shkarkoi, kryebashkiaku i Hasit sqaron pse nuk plotësoi formularin e dekriminalizimit

'Burgu në komunizëm...'/ KQZ nuk e shkarkoi, kryebashkiaku i

Kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti do të vazhdojë detyrën dhe nuk do t’i ndërpritet mandati. Ai u denoncua nga Instituti i Studimeve Politike të cilët i treguan KQZ-së disa dënime të tij, të cilat i kishte fshehur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu disa verifikime të thelluara përmes Prokurorisë së Përgjithshme, por në fund arriti në konkluzionin se shkeljet e pretenduara, nuk ishin të mjaftueshme për t’i djegur mandatin.

Për A2 CNN, kryebashkiaku Dauti tha se vendimin e ka pritur i qetë sepse sipas tij nuk ka patur shkelje ligjore.

“Kam qenë i përgatitur se kam qenë i ndërgjegjshëm se nuk e kam plotësuar formularin e dekriminalizimit se ato kanë qenë dënime politike para ‘90 dhe ato vendime janë të falura me vendim të parlamentit të qeverisë së Nanos.

Ai ligj tha na që ne të përndjekurit politikë, jemi të pafajshëm dhe quheni të padënuar për të gjitha efektet që parashikon ligji. Kam qenë i qetë e kam pritur krejt i qetë vendimin, pavarësisht se në media është trumbetuar në lloje të ndryshme.

Problemi më i madh ka qene bindja e njerëzve për çfarë bëhej fjalë dhe të sqarosh çdo njeri është pothuajse e pamundur unë dhe familja ime kemi qenë të qetë ne kemi vuajtur 120 vjet internim politik nga regjimi dhe 67 vjet burg politik dhe jam ndër disidentët e asaj dhe në 1987 nuk kam votuar për sistemin, kam qenë në burg të Martaneshit”, deklaroi Dauti.

Dauti kishte një dënim të vitit 1988 nga Gjykata e Beratit, për kryerjen e veprës penale të "Largimit pa leje nga vendi i internimit".

Më pas ai ishte vënë në hetim nga SPAK për falsifikim, por ndaj tij nuk rezulton dokumentacion për masë sigurimi për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në këto kushte, KQZ vlerëson të mos ia ndërpresë mandatin, vendim i cili do të merret nesër.