AKTUALITET, 17 Mars 2023, 18:12

Berisha nga Vlora: Thirrja ime është të dalim nga kjo përgjumje, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë

Berisha nga Vlora: Thirrja ime është të dalim nga kjo

Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e primareve për bashkinë Vlorë, Hysni Sharra.

Gjatë fjalës së tij shefi demokrat është shprehur se, kam ardhur sot tek ju, me bindjen më të thellë se të gjithë ne me një brengë të thellë shohim se si Vlora, Shqipëria pakësohen çdo ditë, javë, muaj para syve tanë.

Fjala e Berishës:

Kam ardhur sot me kënaqësi të veçantë, me bindjen më të thellë se takimi me ju, është takim njëkohësisht me përgjegjësinë e njerëzve të cilët në vetëdijen e tyre, shpirtin dhe formimin e tyre, janë të gatshëm dhe të vetëdijshëm se sot Vlora dhe Shqipëria kanë nevojë më shumë se kurrë në 80 vitet e fundit për ti dalë zot, shqiptaret dhe shqiptarët.

Kam ardhur sot tek ju, me bindjen më të thellë se të gjithë ne me një brengë të thellë shohim se si Vlora, Shqipëria pakësohen çdo ditë, javë, muaj para syve tanë. Se si Vlora kjo mrekulli e pa përsëritshme e natyrës, kjo trevë e njerëzve të fortë, trima të guximshëm, braktiset çdo javë, çdo muaj nga banorët e saj. Po këtë fat ka Shqipëria.

Në 8 vite 40 % e vlonjateve janë larguar nga Vlora, në 8 vite 35 % e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu çdo të mbetet pas 8-16 viteve të ardhshme. Por cila do të jetë përgjegjësia jonë para vetes, fëmijëve tanë, por edhe para të gjithë atyre që u shkrinë, u sakrifikuan, që ne sot të jemi komb dhe të jemi këta që jemi sot të lirë.

Do të jetë e pafalshme. Thirrja ime është të dalim nga kjo përgjumje, thirrja ime është të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Vlora ka kapacitete edhe 5 herë më shumë se banorët e saj, po ta marrësh nga Sevasteri në Karaburun, Himarë, Novoselë dhe me radhë. Vlora në këtë territor ka çdo mrekulli që ka natyra. Por Vlora kërkon sot, rënkon sot, na fton ne sot të ndalim këtë rrokullisje.

Pse ne po rrokullisemi, çfarë ka ndodhur me ne, pse ne po ikim më shumë se sirianët që kanë vite në luftë në trevat e tyre, më shumë se afganët. Këtë vit ata që kaluan kanalin e Anglisë, me varka, të parët shqiptarët, të pestët ishin afganët. Pse kjo, sepse këtu është vendosur monizmi, është vendosur një sistem nga i cili ne në 50 vite vuajtëm më shumë se të tjerët.

Nuk është monizëm ideologjik, që zbatohet në kampe përqendrimi, por është monizëm që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen gjer në palcë të vlonjateve dhe qytetarëve shqiptarë nga ky regjim.