AKTUALITET, 4 Shtator 2024, 18:25

Berisha i flet kryesisë së PD nga arresti shtëpiak: Jemi në diktaturën e bandave, procesi zgjedhor është shkatërruar

Berisha i flet kryesisë së PD nga arresti shtëpiak: Jemi në
Sali Berisha

Pasditen e sotme është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike, ku po diskutohet organizimi i kësaj partie, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Kryetar i PD, Sali Berisha ka folur në mbledhje me anë të një lidhje direkte me video, ku u ka thënë anëtarëve të kryesisë se opozita përballet me vështirësi të mëdha, pasi sipas tij procesi zgjedhor është shkatërruar dhe zgjedhjet blihen nga pushteti në bashkëpunim me bandat kriminale. 

Berisha tha se opozita përballet me detyrën e vështirë për "rikthimin e votës së lirë". 

"Sot kryesia e PD, mblidhet në një moment vendimtar, në historinë e saj, në një moment kur kjo kryesi duhet të marrë përsipër, përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Partia Demokratike në vitet e fundit, përjetoi një proces ta rrallë, të vështirë, por ajo sot është në këmbë, e fuqishme, e bashkuar, pavarësisht se parashikimet ose përpjekjet e hapta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej, aksi i programit të saj.

Ju, keni bërë një betejë të fortë, por edhe të suksesshme, jemi përballur me probleme të mëdha, të vështira dhe ato janë kapërcyer. Kemi hyrë tani në një vit elektoral.

Kjo që duhet të zgjidhim ne, ky problem madhor, që duhet të zgjidhim është një problem që u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje.

Shqiptarët janë dëshmitarë, se Edi Rama nga viti 2017, gjer në 4 gusht, 2024, shkoi duke formuar në shkallë maksimale, duke shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të vërtetë zgjedhore.

Përvec kësaj, ne kemi patur edhe një problem të dytë madhor, se ky proces shkatërrimtar i procesit zgjedhor, është shoqëruar me një propagandë të stërfuqishme, e cila ka fajësuar viktimën dhe jo fajtorin e vertetë, e cila ka shpallur krimin sukses, krimin elektoral sukses, ka shpallur fitore, fitoren e grabitur, në verbëri, pa kuptuar se cfarë dëmi kolosal i bëhej shoqërisë shqiptare me këtë qëndrim.

Të gjitha këto, e kanë bërë procesin zgjedhor, në një proces zgjedhor jo më në diktatura ideologjike, por siamez në diktaturat e bandave apo ato të bazuara në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve", tha ndër të tjera Berisha.