AKTUALITET, 22 Shkurt 2024, 16:09

Akuzohet se përfitoi 25 mijë euro për zbutjen e dënimit të një të pandehuri, jepet masa për avokatin Selmani

Akuzohet se përfitoi 25 mijë euro për zbutjen e dënimit

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie për avokatin Petraq Selmani.

Selmani akuzohet se ka marrë 25 mijë euro për uljen e dënimit për një të pandehur, që ishte dënuar me 15 vite burg për plagosje të rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), me qëllim verifikimin e kushteve të zbatimit të masës.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 228,229, dhe 248 të Kodit të procedurës Penale, me vendimin Nr. 17, datë 22.02.2024, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit ndaj personit nën hetim Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, e caktuar me vendimin Nr. 15, datë 18.02.2024 të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Urdhërohet personi nën hetim Petraq Semani që të mos largohet nga banesa që ndodhet në Rr. M. Ulqinaku, P.44, Njesia Administrative nr. 5, Tiranë.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi..
Tiranë, më datë 22.02.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.