AKTUALITET, 31 October 2026, 21:39

AFP artikull për protestën në Tiranë: Protestuesit hodhën gurë dhe molotovë drejt policisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

AFP artikull për protestën në Tiranë: Protestuesit

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve AFP ka pasqyruar protestën e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në artikullin e publikuar më 31 tetor, AFP raporton se protestues të maskuar hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa kërkesa kryesore e demonstruesve ishte dorëheqja e kryeministrit.

Sipas agjencisë, protestat në Shqipëri nuk kanë një organizim apo drejtues të vetëm. Ato nisën në mënyrë paqësore në muajin maj, të nxitura nga pakënaqësitë lidhur me korrupsionin e perceptuar. Shkëndija e parë ishte kundërshtimi ndaj një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore.

AFP vëren se që nga mesi i tetorit, protestat janë shndërruar në një valë tubimesh, disa prej të cilave janë shoqëruar me përplasje. Përveç shqetësimeve për korrupsionin, qytetarët kanë ngritur edhe problematikat e sistemit shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Duke iu referuar protestës së kësaj të shtune, agjencia raporton se tubimi nisi në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit, pavarësisht reshjeve të shiut. Situata u tensionua më pas, kur dhjetëra të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov drejt policisë, ndërsa u vunë flakën edhe koshave të mbeturinave.

Sipas AFP-së, policia ndërhyri me dy autobotë uji për shpërndarjen e protestuesve.

Në artikull përmendet gjithashtu deklarata e një zyrtari, sipas të cilit 269 persona nën moshën 18 vjeç ishin arrestuar.

AFP ndalet edhe te masat e reja të ndërmarra nga qeveria të mërkurën, të cilat parashikojnë gjoba deri në 5,500 euro për pjesëmarrësit që përfshihen në akte dhune.

Raportimi i agjencisë ndërkombëtare e paraqet protestën e 31 tetorit si pjesë të një vale më të gjerë pakënaqësish që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajve të fundit.