NË FOKUS, 3 Tetor 2021, 22:14

Hapet “kutia” e Pandorës/ Skandali i llogarive offshore, edhe një politikan shqiptar i përfshirë

Hapet “kutia” e Pandorës/ Skandali i llogarive offshore, edhe

Një investigim i ri tronditës, është publikuar mbi parajsat fiskale, i pagëzuar me emrin “Pandora Papers”. Investgimi ka zbuluar se liderë të sotëm dhe të mëparshëm në rang botëror, janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore.

Aty përfshihen, shumë politikanë, si presidenti rus Vladimir Putin,  ish-kryeministri britanik Tony Blair, mbreti i Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, kryeministri çek, Andrej Babis, si edhe politikanë dhe miliarderë të fuqishëm.

Investigimi i kryer nga konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash zbuluan, se 336 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore.

Në faqen e ICIJ, ku ka edhe harta të ndryshme interaktive, tregohen vendet se nga vijnë udhëheqësit dhe politikanët e përfshirë në këtë skandal. Nga 336 politikanë, një prej tyre, është në Shqipëri, por emri i këtij personi ende nuk është publikuar.

Sigurisht fakti që politikani është listuar në hartën interaktive, tregon se ka prova në lidhje me aktivitetin në llogari offshore dhe pritet që emri të publikohet.

Veç politikanit, për momentin anonim, janë edhe 13 kompani offshore, të lidhura me pronarë shqiptarë. /TPZ.al/