AKTUALITET, 16 August 2026, 09:26

Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi polak: Nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura

Një pushues nga Polonia ka rrëfyer momentet e panikut gjatë zjarrit që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës, në orët e para të mëngjesit të sotëm, 16 gusht. I riu tregon se gjithçka nisi kur ata u zgjuan nga gjumi pasi ndjenë një aromë të pazakontë dhe dëgjuan të bërtitura në hotel.

"U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, rrëfen ai. Zjarri në hotelin “Brooklyn” ka shkaktuar disa të plagosur, ndërsa një pjesë e tyre u detyruan të hidheshin nga kati i dytë për t’i shpëtuar flakëve.

Sipas shefit të Reanimacionit, Edmond Breshanaj, tre prej pacientëve kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin dëmtuar pasi u hodhën nga kati i dytë, duke pësuar fraktura të kolonës. Dy pacientët me dëmtime traumatike, por pa djegie, u transportuan drejt Qendrës së Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa tre pacientët me djegie u trajtuan në repartin përkatës në Vlorë.

Gjendja e një prej pacienteve paraqitet veçanërisht e rëndë, pasi ka pësuar djegie në pothuajse të gjithë trupin dhe ndodhet në rrezik për jetën. Një tjetër pacient ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit. Sipas tij, të dëmtuarit ishin kryesisht të rinj, rreth moshës 25-30 vjeç, ndërsa mes tyre kishte shtetas nga Prishtina, Lipjani dhe një person nga Rrësheni.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, tha shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.