AKTUALITET, 11 August 2026, 21:59

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes jep bilancin: 8 vatra aktive! Situata më problematike në Gurë-Lurë të Dibrës dhe Drenie të Patosit

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Për menaxhimin e situatës dhe përballimin e vatrave të zjarrit janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Helikopterët dhe avionët “Air Tractor” e kanë ndërprerë operacionin gjatë mbrëmjes.

Ndërhyrjet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët janë pozicionuar pranë banesave me qëllim mbrojtjen e komunitetit. Edhe helikopterët në këtë zonë e kanë ndërprerë operacionin gjatë mbrëmjes.

Ndërkohë, vatra në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore të Mbrojtjes Civile vijojnë koordinimin dhe ndërhyrjet në terren, deri në neutralizimin e plotë të të gjitha vatrave aktive.