AKTUALITET, 11 August 2026, 21:13

Shqiptarët mblodhën 160 mijë euro për fëmijën e tij, Altin Hila i falënderon nga protesta: Më keni rregulluar jetën

Altin Hila, i cili ka protestuar së bashku me fëmijën e tij të paralizuar, ka falënderuar qytetarët shqiptarë për ndihmën e dhënë ndaj familjes së tij.

Nga sheshi përpara Kryeministrisë, Hila falënderoi qytetarët që kontribuuan përmes një fushate në GoFundMe, duke mbledhur 160 mijë euro për familjen e tij.

Ai u shpreh se ndihma e shqiptarëve ka ndryshuar jetën e familjes së tij, ndërsa theksoi se qytetarët po tregohen solidarë edhe me familje të tjera në nevojë.

Në të njëjtën kohë, Hila ngriti pikëpyetje mbi rolin e shtetit në raste të tilla, duke e akuzuar atë se mbledh taksat e qytetarëve, por nuk ndihmon familjet në nevojë.

“Falënderoj të gjithë shqiptarët që kanë mbledhur 160 mijë euro për familjen time. Më keni rregulluar jetën mua dhe fëmijës tim. Shqiptarët kanë dhënë për familjet në nevojë. Shteti ku është, që e ka për detyrë, por vjedh lekët dhe nuk ndihmon ata në nevojë? Shqiptarët kanë mbledhur 350 mijë euro për mua dhe familje të tjera në nevojë! Ne jemi një! Sytë i kemi nga njëri-tjetri”, tha Hila.

Fjala e Hilës u mbajt gjatë protestës së 73-të radhazi përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan fjalimet dhe denoncimet nga qytetarët e pranishëm.

Gjatë protestës, Hila lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisë për abuzime me paratë publike. Ai theksoi se, në mungesë të mbështetjes nga institucionet shtetërore, qytetarët po tregojnë solidaritet duke ndihmuar njëri-tjetrin përmes kontributeve vullnetare.

Më tej, protestuesi u ndal te çështja e vjedhjes së parave të pensionistëve në postën e Durrësit, duke i drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama, ti mendon se do e kalosh këtë? Në Durrës kanë vjedhur lekët e pensionistëve në postë! Ku janë lekët? Në Durrës ka ndodhur kjo! Paskeni qenë hajdutë pa masë! Ne nuk heqim dorë nga kjo protestë!”, deklaroi Hila nga sheshi përpara Kryeministrisë.