TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen për protestën e banorëve të Orikumit, e zhvilluar dje, të cilët kërkojnë rikthimin e statusit të bashkisë për Orikumin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta e cilësoi kërkesën e banorëve si “plotësisht legjitime”, ndërsa kritikoi bashkimin e Orikumit me Bashkinë e Vlorës.
Sipas kreut të Partisë së Lirisë, faktet kanë provuar “dështimin total” të këtij organizimi. Meta vuri në dukje edhe potencialet e Orikumit për zhvillimin ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.
“Potencialet për zhvillimin e Orikumit, që të jetë bashki më vete, janë të jashtëzakonshme, nga turizmi malor te ai bregdetar, që mund të krijojnë mirëqenie dhe vende pune për mijëra familje”, shkruan Meta.
Meta kritikoi gjithashtu Bashkinë e Vlorës për problematikat që, sipas tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura. Ndër çështjet e përmendura prej tij janë furnizimi me ujë të pijshëm, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe ofrimi i shërbimeve bazë për qytetarët.
Kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se Orikumi nuk duhet të trajtohet më si “aneks i Vlorës”, duke e lidhur kërkesën e banorëve me alternativën e opozitës për rikthimin e 100 bashkive.
“Alternativa e opozitës për rikthimin e 100 bashkive është rruga e vetme për t’iu kthyer shërbimet më pranë qytetarëve dhe për t’i dhënë fund rrëmbimit të pushtetit vendor dhe financave të tij”, shprehet ai.
Në postimin e tij, Meta përmendi edhe banorët e Selenicës, të cilëve u bëri thirrje që të mbrojnë Bashkinë e tyre nga një bashkim i mundshëm me Bashkinë e Vlorës.
Në përfundim, kreu i Partisë së Lirisë akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kontrollin “de facto” të Bashkisë së Vlorës dhe se është i fokusuar te tokat në bregdet dhe betonizimi i tyre.
Meta përmendi gjithashtu shkarkimin e mbi 15 drejtorëve të Kadastrës, duke pretenduar se kjo bëhet pikërisht për shkak të synimit për betonizimin e bregdetit.