TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria duket se po kthehet në një burim frymëzimi për fqinjët përtej Adriatikut, kur bëhet fjalë për integrimin e teknologjisë në institucione.
Inovacioni i guximshëm me “Diellën”, e cila bëri histori si figura e parë publike dhe “ministrja” e parë me Inteligjencë Artificiale në Shqipëri, ka hapur rrugën për eksperimente të ngjashme edhe në Itali. Tashmë, modeli i përfshirjes së AI-së në jetën publike po gjen zbatim edhe në qeverisjen lokale italiane.
Eva Statiella është këshilltarja më e re bashkiake në qytetin e Acqui Terme, në rajonin verior të Piemontes. Eva nuk është një person real, por një avatar i gjeneruar duke përdorur Inteligjencën Artificiale, ngjashëm me Diellën.
Eva Statiella u prezantua në muajin qershor nga Danilo Rapetti, kryebashkiaku i Acqui Terme, një qytet me rreth 19 mijë banorë në provincën e Alessandrisë. Këshilltares virtuale iu caktuan portofole specifike që mbulojnë çështjet sociale dhe humanitare, Inteligjencën Artificiale dhe tranzicionin digjital.
Eva është trajnuar dhe testuar prej disa muajsh. Ajo ka marrë pjesë në mbledhjet e këshillit, ka dëgjuar diskutimet, ka hartuar tekste dhe dokumente, si dhe ka dhënë opinionin e saj kur i është kërkuar për çështje të ndryshme.
Megjithatë, zyrtarët theksojnë se pozicioni i saj është rreptësisht konsultativ. Ajo nuk mund të marrë vendime politike apo të nënshkruajë akte administrative dhe nuk njihet ligjërisht si anëtare e këshillit. Zyrtarisht, ajo është përcaktuar si një “anëtare digjitale, konsultative dhe jo-vendimmarrëse e këshillit bashkiak”.
Detyra praktike e Evës është të analizojë kërkesat e qytetarëve dhe të ndihmojë në uljen e burokracisë, duke punuar krah për krah me një këshilltar dhe duke balancuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale me përvojën reale administrative.
Ashtu si Diella në Shqipëri, edhe Eva ka një prani vizuale. Megjithatë, si çdo risi e këtyre përmasave, edhe ky eksperiment nuk ka kaluar pa polemika. Opozita në qytet ka ngritur shqetësime në lidhje me privatësinë dhe sigurinë, veçanërisht pasi pritet që aftësitë e Evës të zgjerohen.
Për momentin, kryebashkiaku e kornizon Eva Statiellën si një mjet për të kuptuar se çfarë ndodh kur sistemet e Inteligjencës Artificiale marrin një rol më aktiv në proceset e vendimmarrjes, dhe jo domosdoshmërisht si një instalim të përhershëm të qeverisjes lokale.