SPORT, 21 Janar 2020, 19:43

Zëvendëson Ibrahimoviçin, klubi amerikan firmos me ish-sulmuesin e Mançester Junajtid dhe Real Madridit


Havier Hernandez “Çiçarito” është futbollisti më i ri i klubit amerikan Los Anxhelos Galaksi.

Meksikani iu bashkua ditën e sotme ekipit të njohur të futbollit amerikan duke mbyllur eksperiencën në Spanjë me Sevijan. 31-vjeçari zëvendëson Zllatan Ibrahimoviçin, i cili zgjodhi të kalonte te Milani gjatë merkatos dimërore.

“Çiçarito” njihet si sulmues i rrezikshëm duke bërë diferencën duke ardhur nga stoli. Ai ka luajtur më parë për klube të mëdha si Mançester Junajtid dhe Real Madridi, ku me “Djajtë e Kuq” fitoi dhe një titull kampion. Më pas, sulmuesi meksikan ka luajtur për Bajer Leverkusenin dhe Uest Hemin.

Në rang ndërkombëtar, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Meksikës me 52 gola në 109 si dhe duke fituar me “El Tri” dy Kupa të Amerikë së Veriut (Kupa e Artë).