BALLKAN, 8 Nëntor 2017, 11:23

Ymeri: Të rinegociohet Demarkacioni me Malin e Zi

Ymeri: Të rinegociohet Demarkacioni me Malin e Zi

Mali i Zi nuk mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit”, thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri. Ymeri thekson se Demarkacioni është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin duhet të ketë shumë kujdes, në mënyrë që vija kufitare të caktohet, duke mos dëmtuar asnjërën palë. Kurse për dialogun Kosovë- Serbi Ymeri thotë se ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës.

Intervista me Radio Evropa e Lirë:

 Zoti Ymeri, si e shini ju përmbylljen e procesit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nisur nga puna e Komisionit të ri shtetëror, i cili po përpiqet të sjellë fakte të reja rreth marrëveshjes së vitit 2015?

Visar Ymeri: Është shumë e qartë që kjo marrëveshje për demarkimin e vijës kufitare, që është nënshkruar në vitin 2015 ka qenë e dëmshme për Republikën e Kosovës edhe në njërën anë është tejkalim i mandatit që atëbotë ishte themeluar nga Qeveria, që ka pasur mandat për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit. Ndërkohë që në marrëveshje, ata kanë bërë një caktim të një kufiri të ri, e deri tek arroganca, shtyrja e kësaj marrëveshjeje nga Qeveria e kaluar dhe veçanërisht nga në atëbotë, ministri i Jashtëm, e tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, duke cenuar kështu edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe duke e dëmtuar rëndë edhe mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë e vendit përmes kësaj marrëveshjeje.

Natyrisht që kjo marrëveshje duhet që domosdo që në dritën e fakteve të reja, dhe në dritën e atyre fakteve që deri më tani janë prezantuar nga ekspertët e Republikës së Kosovës, por jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe ekspertë nga Republika e Shqipërisë, që të rinegociohet me Malin e Zi, në mënyrë që kufiri të vendoset aty ku do të duhej të ishte, dhe që të mos cenohet integriteti territorial as i Republikës së Kosovës dhe as i Malit të Zi.

Mali i Zi ka thënë se kjo çështje është e mbyllur, meqë ka ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvend. Si mund të ri-negociohet?

Visar Ymeri: Mali i Zi nuk mund ta zbatojë marrëveshjen njëanshëm. Kjo është edhe një çështje që në marrëdhënie mes dy shteteve, sipas parimit të fqinjësisë së mirë duhet të ketë edhe reciprocitet, mirëkuptim e respekt për integritetin territorial të secilit vend. Në këtë drejtim, konsideroj se marrëveshja bëhet e pazbatueshme nëse nuk janë dakord dy palët. Republika e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës ,në dritën e fakteve të reja që do të paraqiten edhe nga Komisioni i themeluar së voni, do të duhej që të mos e vononin këtë marrëveshje dhe ta hedhin poshtë. Mendoj se themelimi ose ri-themelimi i një komisioni, me të njëjtën detyrë, por me një përbërje tjetër dhe i themeluar nga një Qeveri tjetër, do të duhej të nënkuptonte automatikisht edhe hedhjen poshtë të marrëveshjes sepse nuk ka kuptim që Komisioni i kaluar të shkarkohet, ndërkohë që rezultati i punës së tyre të pranohet.

Në këtë drejtim, konsideroj që edhe pse Mali i Zi e konsideron si të mbyllur këtë çështje, çështja nuk është e mbyllur nëse Kosova nuk e ka mbyllur sepse tek e fundit është marrëveshje mes dy shteteve dhe për këtë duhet të dakordohen të dy shtetet.