Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës deri në fund të këtij
viti pritet të nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e barrierave doganore dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, deklaron zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është emëruar nga qeveria kosovare koordinator për organizimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës.
Në një intervistë për Kosovapress, zv/kryeministri Limaj theksoi se “një thellim i bashkëpunimit me shtetin shqiptar është në interes të Republikës së Kosovës”.
Sipas tij, qeveria kosovare vlerëson se ka hapësirë dhe mundësi të thellimit të bashkëpunimit në shumë fusha me qeverinë shqiptare.
“Vështirësitë që janë hasur në zbatimin e marrëveshjeve duhet të zgjidhen”, nënvizoi Limaj
duke shtuar se vetë emërimi i tij si koordinator për për organizimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive, tregon se qeveria e Kosovës po i kushton prioritet të veçantë marrëdhënieve me Shqipërinë.
Zv/kryeministri Limaj shprehet se “në 27 nëntor ne do të kemi mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive tona. Ideja jonë është që të rritet bashkëpunimi mes dy vendeve dhe besoj se deri në fund të vitit do të kemi dy ose tre gjëra konkrete. Sot mund të them që jemi thuajse
gati duke përmbyllur bisedimet në çështjen e doganave”, tha Limaj.
“Do të mundohemi që në afat sa më të shkurtër të krijohen lehtësira për shkëmbimet tregtare Kosovë- Shqipëri”, nënvizoi Limaj duke shtuar se do të eleminojmë të gjitha barrierat burokratike, që i krijojnë
probleme prodhuesve të dy vendeve.
Limaj shprehu besimin se deri në fund të këtij vitit këto pengesa do të eleminohen.
Një tjetër çështje me rëndësi, vijoi ai, është edhe zhvendosja e doganierëve të Kosovës në portin e Durrësit, për të cilën kemi miratimin e plotë nga pala shqiptare.
“Ekspertët tanë të doganës dhe të Ministrisë së Financave po merren me përgatitjet e infrastrukturës ligjore dhe fizike, në mënyrë që doganierët nga Kosova të vendosen në portin e Durrësit”, theksoi Limaj.
Sipas tij, një tjetër çështje me rëndësi janë edhe problemet në pikat kufitare që na lidhin me Shqipërinënë, si në Vërmicë, Morinë, etj.
Lidhur me çështjen e njohjes së diplomave nga të dy anët , Limaj theksoi se do të zgjidhen, pasi tashmë dy ministrat e Kosovës, ai i Financave dhe Arsimit do të kenë kontakte të drejtpërdrejta për këto çështje me homologët e
tyre në Shqipëri.
Në 27 nëntor në qytetin e Korçës pritet të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kosovapress