BOTA, 9 October 2026, 18:54

Uragani “Isaias” i afrohet SHBA-së, autoritetet paralajmërojnë për përmbytje dhe dëme të mëdha

Uragani “Isaias” i afrohet SHBA-së, autoritetet

Uragani “Isaias” ka rritur fuqinë, duke arritur kategorinë 3 në shkallën me pesë kategori, ndërsa i afrohet jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas parashikimeve, stuhia mund të godasë drejtpërdrejt zonat bregdetare gjatë mbrëmjes së sotme ose në orët e para të mëngjesit të nesërm.

Me erëra të qëndrueshme që arrijnë shpejtësinë 195 kilometra në orë, “Isaias” është klasifikuar si një uragan i fuqishëm i kategorisë 3 në shkallën “Saffir-Simpson”, njoftoi Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA (NHC).

Sipas meteorologëve amerikanë, uragani pritet të dalë në tokë në Florida, Alabama ose Misisipi, nga mbrëmja e sotme deri të shtunën.

Stuhia mund të sjellë erëra shkatërruese, dallgë të fuqishme dhe reshje jashtëzakonisht të dendura, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të mëdha dhe dëmeve materiale.

Përballë rrezikut, autoritetet amerikane kanë njoftuar evakuimet e para në zonat bregdetare, ndërsa pritet të ketë ndërprerje të konsiderueshme të aktivitetit në sektorin e hidrokarbureve në Gjirin e Meksikës.

“Po e marrim këtë stuhi shumë, shumë seriozisht”, deklaroi guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, gjatë një konference për shtyp, duke paralajmëruar për “dëme të konsiderueshme” përgjatë bregdetit.

“Isaias” është uragani i parë i sezonit në Atlantik, ku aktiviteti ciklonik, i cili nis më 1 qershor dhe zgjat deri në fund të nëntorit, ka qenë jashtëzakonisht i ulët për shkak të fenomenit klimatik El Niño.