BOTA, 7 October 2026, 21:28

Murtaja pulmonare në Siberi/ Pas vdekjes së laborantes, dyshime për një rast të dytë, OBSH kërkon përgjigje nga Rusia

Murtaja pulmonare në Siberi/ Pas vdekjes së laborantes, dyshime

Një rast i dyshuar i murtajës pulmonare në Siberi ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pasi një laborante 28-vjeçare ka humbur jetën dhe tashmë janë ngritur dyshime edhe për një person të dytë me pneumoni të rëndë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka kërkuar Rusisë të japë më shumë informacion lidhur me atë që ka ndodhur në institutin e specializuar kundër murtajës në Irkutsk.

Darya Shipilova, 28 vjeçe, punonte në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk, ku studiohen baktere dhe viruse që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda.

Ajo u sëmur nga pneumonia e rëndë dhe, pas shtrimit në spital, ndërroi jetë më 2 tetor në Shelekhov, raportojnë mediat e huaja.

Vdekja e saj mori një tjetër përmasë pasi u raportua se laborantja mund të ishte ekspozuar aksidentalisht ndaj një bakteri të rrezikshëm gjatë punës. Në institutin ku ajo punonte studiohet edhe Yersinia pestis, bakteri që shkakton murtajën.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se 28-vjeçarja ka humbur jetën nga murtaja pulmonare. Autoritetet ruse e kanë përshkruar shkakun si pneumoni me origjinë të panjohur dhe kanë kryer testime te personat që kanë pasur kontakt me të.

Dyshime edhe për një rast të dytë

Situata është bërë edhe më e paqartë pas raportimeve për një person të dytë që gjithashtu ka shfaqur pneumoni me origjinë të panjohur.

Ky rast nuk është konfirmuar si murtajë, por OBSH u ka kërkuar autoriteteve ruse të sqarojnë nëse bëhet fjalë për një rast të lidhur me ngjarjen në laborator.

Ndërkohë, Rusia thotë se deri tani nuk ka prova për një shpërthim të murtajës në rajonin e Irkutskut.

Autoritetet shëndetësore kanë testuar personat që kanë qenë në kontakt me laboranten dhe kanë marrë masa monitorimi dhe izolimi.

OBSH kërkon tashmë të dhëna më të plota për shkakun e sëmundjes, patogjenin e mundshëm dhe arsyen e masave të marra nga autoritetet ruse.

Deri në këtë moment, nuk ka prova për një përhapje të qëndrueshme të sëmundjes nga personi në person. Hetimet dhe testimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të sëmundjes dhe nëse ka ndonjë lidhje mes rasteve të raportuara.