TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ish-gjeneral sirian, i kërkuar për krime kundër njerëzimit dhe i lidhur me programin e armëve kimike të regjimit të Bashar al-Assadit, po merr mbrojtje dhe mbështetje financiare nga autoritetet amerikane dhe libaneze.
Në këtë përfundim ka dalë një investigim i përbashkët i BBC-së dhe radios publike amerikane NPR, sipas të cilit Bassam al-Hassan, ish-këshilltar i lartë i Assadit dhe përgjegjës për programin sirian të armëve kimike, jeton në Liban që prej rrëzimit të regjimit në vitin 2024 dhe qëndrimi i tij atje është mundësuar përmes një marrëveshjeje ku përfshihen FBI-ja dhe autoritetet amerikane e libaneze.
Në këmbim të mbrojtjes, lejes së qëndrimit dhe mbulimit të shpenzimeve të jetesës, Hassan ka pranuar të japë informacione lidhur me rrëmbimin e gazetarit amerikan Austin Tice në Siri, në vitin 2012, si edhe të dhëna të tjera të inteligjencës.
BBC kishte zbuluar më herët se rrëmbimi i Tice ishte një operacion i planifikuar dhe se Hassan bënte pjesë në zinxhirin komandues përgjegjës për të.
Sipas burimeve të investigimit, ish-gjenerali merr para nga autoritetet amerikane përmes një ndërmjetësi, çka e bën më të vështirë gjurmimin e pagesave, megjithëse ai është subjekt i sanksioneve të vendosura nga vetë Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja besohet të jetë arritur në pranverën e vitit 2025. Megjithatë, persona të përfshirë në hetimin për fatin e gazetarit amerikan thonë se nuk ka prova të mjaftueshme që bashkëpunimi me Hassan të ketë sjellë përparim të rëndësishëm në zbardhjen e çështjes.
Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë së re siriane kanë deklaruar se kërkojnë kthimin e ish-gjeneralit në Damask për t’u përballur me drejtësinë, por pretendojnë se autoritetet amerikane këmbëngulin që ai të qëndrojë në Bejrut.
Zbulimet e investigimit kanë shkaktuar reagimin e familjes së Austin Tice. Zëdhënësi i saj, Phil Elwood, e cilësoi të papranueshme mundësinë që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për të siguruar një jetë të rehatshme për një person të lidhur me përdorimin e armëve kimike kundër civilëve sirianë.
“Kjo nuk është asgjë më pak se ndihmë për arratisjen e një krimineli lufte të kërkuar. Sirianët meritojnë drejtësi dhe ai duhet të kthehet për t’u gjykuar”, deklaroi Elwood.