BOTA, 7 October 2026, 20:30

BE përballë Kinës/ Eurodeputetët kërkojnë politikë më të ashpër tregtare ndaj Pekinit

BE përballë Kinës/ Eurodeputetët kërkojnë

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje për një politikë tregtare më të vendosur ndaj Kinës, e cila të ndërthurë dialogun me një mbrojtje më të fortë të interesave evropiane.

Rezoluta, e cila nuk ka karakter detyrues, u mbështet nga 454 eurodeputetë, ndërsa 86 votuan kundër dhe 110 abstenuan.

Sipas Parlamentit Evropian, marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës kanë arritur në një pikë kritike.

Eurodeputetët përmendën si arsye për shqetësim ato që i konsiderojnë praktika të padrejta ekonomike të Pekinit, si dhe qëndrimin e Kinës ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ata shprehën gjithashtu shqetësim të thellë lidhur me raportet se ushtria kineze dyshohet se ka trajnuar ushtarë rusë për t’u dërguar në Ukrainë.

BE kërkon reciprocitet në tregti

Në fushën e tregtisë, Parlamenti Evropian kërkon reciprocitet dhe kushte të barabarta konkurrimi mes kompanive evropiane dhe atyre kineze.

Sipas eurodeputetëve, nëse Kina nuk e hap tregun e saj ndaj kompanive evropiane, Bashkimi Evropian duhet të përgjigjet me masa të përshtatshme.

Dy fuqitë ekonomike kanë qenë prej kohësh në konkurrencë, veçanërisht në sektorin e automobilave, ku kompanitë kineze kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në tregun evropian.

Ndërkohë, Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcoviç, pritet të vizitojë Pekinin të enjten dhe të premten.

Gjatë vizitës, ai do të zhvillojë bisedime me ministrin kinez të Tregtisë, Wang Wentao, për marrëdhëniet ekonomike të tensionuara mes dy palëve.