TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Konsumi i energjisë elektrike nga ujësjellësit ka shënuar rritje për të dytin vit radhazi, duke evidentuar sfidat e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në drejtim të eficiencës energjetike. Sipas Raportit të Performancës për vitin 2025, të publikuar nga Enti Rregullator i Ujit, konsumi mesatar arriti në 0.71 kWh/m3, nga 0.66 kWh në vitin 2024 dhe 0.63 kWh në vitin 2023. Krahasuar me një vit më parë, treguesi është përkeqësuar me 7.6%. Të dhënat tregojnë diferenca të konsiderueshme mes shoqërive. Konsumin më të lartë specifik të energjisë e regjistron Ujësjellësi i Durrësit, me 1.58 kWh/m3, i ndjekur nga Fieri me 1.55 kWh dhe Saranda me 1.33 kWh. Në anën tjetër, konsumin më të ulët e kanë Dibra, Tirana dhe Kukësi.
Megjithatë, ERRU thekson se këto diferenca nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht nivelin real të eficiencës, pasi konsumi ndikohet drejtpërdrejt nga karakteristikat teknike të sistemeve të furnizimit. Në shoqëritë e analizuara, pesha e ujit të prodhuar përmes ngritjes mekanike varion nga 1% deri në 100%. Për rrjedhojë, ujësjellësit që mbështeten kryesisht te stacionet e pompimit kanë përgjithësisht nevoja më të larta për energji sesa ata që shfrytëzojnë furnizimin me rrjedhje të lirë.
Ndërkohë, krahasuar me vitin 2024, përmirësimin më të madh e kanë shënuar ujësjellësit e Lezhës dhe Korçës, ku konsumi specifik i energjisë është reduktuar përkatësisht me 0.09 dhe 0.05 kWh/m3. Ndërkohë, rritjen më të madhe e regjistrojnë Saranda, Gjirokastra, Fieri dhe Durrësi. Sipas ERRU-së, përmirësimi i eficiencës kërkon ndërthurjen e masave operacionale me investimet në rehabilitimin e stacioneve të pompimit, përdorimin e pajisjeve me rendiment më të lartë, automatizimin e proceseve dhe reduktimin e humbjeve të ujit në rrjet. Ulja e konsumit të energjisë mbetet një element i rëndësishëm për reduktimin e kostove të operimit dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të ujësjellësve.