AKTUALITET, 7 November 2026, 19:00

“U tremba se mos kishte bombol gazi”- Administratori rrëfen momentet e panikut gjatë zjarrit në pallatin në Lezhë

“U tremba se mos kishte bombol gazi”- Administratori rrëfen

Man Sinani, administratori i pallatit ku shpërtheu zjarri në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, ka rrëfyer momentin kur konstatoi flakët në katin e parë të ndërtesës. Ai tregon se ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të kësaj të shtune, teksa po zbriste shkallët e pallatit.

Menjëherë pasi vuri re zjarrin, Sinani njoftoi policinë dhe shërbimin zjarrfikës, ndërsa u angazhua edhe në nxjerrjen e banorëve nga ndërtesa.

“Ishte ora 16:00, isha duke zbritur shkallët kur shoh flakë te kati i parë këtu se jam edhe administratori i pallatit, thashë çka ndodhur. Shkoj gjej një person aty, i shkreti, lajmëruam policinë dhe erdhëm. Nxorrëm edhe njerëzit, falënderoj zjarrfikësen që i nxori të gjithë nga kati i parë në të fundit. U bë mjegull e tym”, tregon administratori.

Si pasojë e zjarrit, disa banorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe asfiksi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Administratori tregon se në momentet e para ishte shqetësuar për mundësinë e pranisë së një bombole gazi në zonën ku kishte rënë zjarri.

“Zjarri nisi që në katin e parë këtu që duket nga shkallët. Një person më thirri, u temba nëherë se mendova mos ka ndonjë bombol gazi. Zjarrfikësja e policia kanë ardhur urgjentisht”, tha Sinani.