TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Humbja tragjike e 16-vjeçarit shqiptar Asllan Gjana, i cili humbi jetën pasi u përplas me kokë në një mur pranë fushës së futbollit në ishullin e Thasos, ka nxitur autoritetet greke të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë në ambientet sportive. Si pasojë, Bashkia e Kavalës ka vendosur mbylljen pa afat të fushave të futbollit nën administrimin e saj, deri në përfundimin e kontrolleve përkatëse dhe verifikimin e kushteve të sigurisë.
Vendimi përfshin gjithashtu pezullimin e lejeve për zhvillimin e stërvitjeve dhe kurseve të futbollit për fëmijët.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një ndeshjeje futbolli, kur 16-vjeçari, i njohur nga të afërmit me nofkën “Ani”, doli jashtë vijave të lojës për të ndjekur topin. Gjatë lëvizjes, ai u përplas me pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunave. Goditja rezultoi fatale për të riun.
Urdhri për pezullimin e aktiviteteve sportive mban firmën e Christos Bosbotis, nënkryetar i Bashkisë së Kavalës për Kulturën, Sportin dhe Rininë.
Përmes këtij vendimi, është kërkuar inspektimi i menjëhershëm i të gjitha ambienteve sportive, me qëllim identifikimin e mangësive të mundshme dhe garantimin e sigurisë së sportistëve. Kontrollet do të përqendrohen te përmasat e fushave, si dhe te distanca ndërmjet vijave të lojës dhe mureve apo pengesave të tjera të palëvizshme, të cilat mund të përbëjnë rrezik për lojtarët gjatë ndeshjeve dhe seancave stërvitore.
Edhe pse lejet për përdorimin e fushave ishin miratuar gjatë gjysmës së dytë të shtatorit, autoritetet kanë vendosur pezullimin e tyre deri në përfundimin e verifikimeve dhe realizimin e ndërhyrjeve të nevojshme.
Në rast se gjatë kontrolleve evidentohen shkelje të standardeve të sigurisë, zhvillimi i ndeshjeve dhe seancave stërvitore do të kushtëzohet nga marrja e miratimit përkatës nga Federata Greke e Futbollit.
Vendimi u është komunikuar gjithashtu autoriteteve policore dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Sportit.
Vdekja e Asllan Gjanës ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së infrastrukturës sportive në Greqi, veçanërisht në fushat ku stërviten fëmijët dhe të rinjtë. Përmes këtyre masave, Bashkia e Kavalës synon të identifikojë rreziqet e mundshme dhe të sigurojë që ambientet sportive të përmbushin kushtet e nevojshme për mbrojtjen e lojtarëve.