AKTUALITET, 10 October 2026, 19:10

Nga drejtuesit e SPAK te Presidenti Begaj dhe deputetët e PD-së/ Ja kë takuan senatorët amerikanë në Tiranë, shmanget Berisha

Nga drejtuesit e SPAK te Presidenti Begaj dhe deputetët e PD-së/ Ja

Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, mbështetës të nismave legjislative për Ballkanin Perëndimor, po zhvillojnë një tur në disa vende të rajonit, mes tyre Shqipëria dhe Kosova.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, senatorët janë takuar me Presidentin Bajram Begaj, drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe përfaqësues të opozitës.

Në takimet e zhvilluara në Tiranë, ata janë shoqëruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt. Në fokus të turit ballkanik të dy senatorëve amerikanë janë siguria, integriteti euroatlantik, bashkëpunimi me NATO-n dhe sundimi i ligjit.

Të shtunën, senatorët Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, së bashku me ambasadorin Eric Wendt, zhvilluan takime në zyrat e tyre me drejtuesit e dy institucioneve të rëndësishme të hetimit në Shqipëri: kreun e SPAK, Klodjan Braho, dhe kreun e BKH-së, Joni Keta.

Për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt, kjo ishte ndalesa e dytë në SPAK brenda pak ditësh. Ai kishte zhvilluar takime me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme menjëherë pas marrjes së detyrës në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë. Kjo tregon se mbështetja amerikane ndaj Strukturës së Posaçme vijon.

Gjatë takimit me kreun e shtetit shqiptar, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori Wendt, dy senatorët amerikanë u vlerësuan me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, për kontributin e tyre.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, senatorët amerikanë dhe ambasadori Eric Wendt u takuan gjithashtu me përfaqësues të kampit opozitar, përfshirë deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso. Sipas informacioneve, përfaqësuesit e opozitës kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën e qeverisjes së vendit.

Diplomatët amerikanë zhvilluan një takim edhe me kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe me deputeten Marjana Koçeku, e cila është e pavarur pas largimit nga Partia Socialiste.

Ndërkohë, senatorët amerikanë dhe ambasadori Eric Wendt kanë shmangur në takimet e tyre në Tiranë kreun e opozitës, Sali Berisha.

Pas përfundimit të takimeve në Shqipëri, dy senatorët amerikanë kanë udhëtuar drejt Kosovës, ku pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të politikës së vendit fqinj.