TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i Maqedonisë së Veriut, Agon Ferati, është takuar në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku në fokus të diskutimeve ishin forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë maqedonase, gjatë takimit u diskutua për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore, si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e qytetarëve të të dy vendeve.
Ministri Ferati prezantoi përpjekjet e institucionit që drejton për krijimin e një klime të re ndërmjet komuniteteve etnike dhe luftimin e stereotipave që dëmtojnë marrëdhëniet mes tyre.
Nga ana tjetër, ministri Hoxha shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke vënë theksin te koordinimi i përpjekjeve për realizimin e Korridorit të Tetë.
Sipas pritshmërive të paraqitura në takim, pjesa rrugore e këtij korridori në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2029, ndërsa ajo hekurudhore në vitin 2032.
Gjithashtu, lehtësimet shtesë në pikat kufitare u vlerësuan si të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Në njoftim theksohet se “të dy ministrat theksuan rëndësinë e partneritetit në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, përmes iniciativave konkrete që lehtësojnë lëvizjen dhe krijojnë mundësi të reja për zhvillim e prosperitet të përbashkët”.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe kohezionit social. Ministri Ferati theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit përmes organizatave të shoqërisë civile në të dy vendet, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë aleate në kuadër të familjes euroatlantike dhe ndajnë synimin e përbashkët për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Përshpejtimi i këtij procesi synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në rritjen e mirëqenies sociale.
Në përfundim të takimit, të dy ministrat riafirmuan vullnetin për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri dhe për ta shndërruar bashkëpunimin në rezultate konkrete në interes të qytetarëve të të dy vendeve.