AKTUALITET, 12 September 2026, 13:50

Takim me kongresmenin Gooden/ Berisha: Drejtësi e pavarur dhe luftë kundër karteleve të drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Dallas një takim me kongresmenin republikan amerikan Lance Gooden, anëtar i Komitetit për Drejtësinë dhe Komitetit të Sigurisë në Kongresin e SHBA-së.

Sipas Berishës, takimi u përqendrua te zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet vendi dhe rëndësia e forcimit të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Një tjetër temë e diskutimit ishte drejtësia në Shqipëri. Berisha tha se kongresmeni Gooden shprehu interes për një drejtësi të pavarur, e cila nuk përdoret për të luftuar kundërshtarët politikë.

Në përfundim, Berisha theksoi se miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbeten një garanci e rëndësishme për demokracinë, lirinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Në vijim të takimeve në Dallas, patëm kënaqësinë të takonim dhe kishim një mëngjes pune me Kongresmenin republikan Lance Gooden, anëtar i komitetit për drejtësinë në Kongresin e SHBA si dhe anëtar i komitetit të Sigurisë. Një takim miqësor dhe një bisedë e hapur mbi zhvillimet politike, sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet strategjike me SHBA dhe mbështetja për anëtarësimin në NATO kanë qenë arritje historike. Sot siç kërkon dhe Sekretari Rubio lufta kundër trafikut dhe karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre janë në qendër të marrëdhënies ndermjet dy vendeve.

Një interes të veçantë Kongresmeni Gooden tregoi për një drejtësi të pavarur e cila nuk përdoret për të luftuar kundërshtarët politikë. Miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbeten një garanci e rëndësishme për demokracinë, lirinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.