SPORT, 4 Mars 2020, 19:26

Superliga/ Tirana marshon drejt titullit, humbet Partizani, ndalet Kukësi

Tirana fiton lehtësisht 0-2 ndaj Flamurtarit të vendit të fundit në Vlorë në javën e 25-të të Kategorisë Superiore, dhe duke përfituar nga hapat e gabuar të Kukësit dhe Partizanit bën një hap të madh drejt titullit të 25-të kampion. Bardhebluve u mungon trofeu prej 11 vjetësh, nga sezoni 2008-2009.

Një autogol i Vrapit në minutën e 32-të, pas një topi të futur në zonë me forcë nga Michael Ngoo dhe goli i Cobinah në fundin e sfidës u mjaftoi bardhebluve për të marrë maksimumin e pikëve në një transfertë sa të lehtë në letër aq të vështirë në fushën e blertë. Për trajnerin nigerian Egbo kjo ishte fitorja e 10-të në 11 ndeshje të drejtuara prej tij në kampionat.

Fitorja  e Tiranës mori më shumë vlerë nga barazimi i Kukësit 0-0 në “Elbasan Arena” përballë Vllaznisë. Një debutim ky që nuk i lë shije të mirë Orges Shehit, për të cilin është kusht titulli kampion, objektiv edhe më i vështirë me këto dy pikë të lëna ndaj shkodranëve.

Tjetër zhgënjim për Partizanin, që u mposht 0-1 në “Selman Stërmasi” nga Teuta, duke dalë përfundimisht jashtë garës për titullin kampion. Humbja e dytë rresht dhe e treta pa fitore për kampionët në fuqi. Goli i Sherif Kallakut në minutën e 68-të, pas spondës me kokë të Gomez, rezultoi vendimtar në përcaktimin e rezultatit. Edhe në këtë ndeshje ra në sy paaftësia e dy sulmuesve të Partizanit, Brown dhe Solomon, për të shënuar gola të thjeshtë, madje edhe me portën gjysmë të boshatisur.

Triumf i parashikueshëm 2-0 i Skënderbeut në Korçë përballë një Luftëtari praktikisht të rënë nga kategoria. Golat u shënuan nga Mensah në pjesën e parë dhe Jashanica në fraksionin tjetër. Një rikthim u bukur ky për mbrojtësit nga Kosova, që ka qenë u pezulluar për dy vite pasi doli pozitiv në përdorimin e dopingut.

Në përfundim  të javës së 25-të Tirana ndihet edhe më e sigurt në krye të klasifikimit me 50 pikë, gjashtë më shumë se Kukësi, ndërsa Partizani parakalohet nga Teuta dhe barazohet nga Skënderbeu, duke rrezikuar seriozisht edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Java e 25-të: rezulltatet dhe renditja