BOTA, 20 August 2026, 14:11

Stuhi dhe tornado! Moti i keq përfshin Gjermaninë, raportohet për viktima dhe të plagosur  

Stuhi dhe tornado! Moti i keq përfshin Gjermaninë, raportohet për

Stuhi të fuqishme dhe dy tornado kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të Gjermanisë, duke lënë të paktën një person të vdekur dhe disa të plagosur, ndërsa dhjetëra banesa janë dëmtuar.

Në Walldorf, në Rheinland-Pfalz, një grua 58-vjeçare humbi jetën dhe një tjetër, 47 vjeç, u plagos rëndë pasi një pemë u shkul nga era dhe ra mbi strehën ku të dyja ishin futur për t’u mbrojtur nga stuhia. 58-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa gruaja tjetër u transportua në spital.

Stuhitë shkaktuan dëme edhe në zona të tjera të Rheinland-Pfalz, ku u rrëzuan pemë dhe mure banesash.

Një tornado goditi Fürstenwalde-Spree, në Brandenburg, pranë Berlinit. Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) konfirmoi fenomenin, ndërsa autoritetet raportuan dëme në zonë, përfshirë automjete të dëmtuara nga pemët e rrëzuara. Nuk pati të lënduar.

Një tjetër tornado goditi zonën pranë Wetzlar, në landin e Hessenit. Sipas zjarrfikësve, rreth 60 shtëpi janë dëmtuar nga fenomeni ekstrem i motit.

Në Laubach, pranë Wetzlarit, një pemë e rrëzuar dëmtoi një rezervuar gazi në një ndërtesë banimi. Për shkak të rrjedhjes së gazit, autoritetet evakuuan zonën brenda një rrezeje prej 200 metrash.

Dëme të konsiderueshme janë raportuar gjithashtu në Turingi dhe Bavari, ku disa banesa janë bërë të pabanueshme.

Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Gjerman ka paralajmëruar për stuhi të tjera të forta, veçanërisht në landët jugore të Baden-Württemberg dhe Bavarisë.