BOTA, 19 August 2026, 21:27

“A je gati të vdesësh?”/ Burri me maskë kukulle terrorizon Filadelfian, policia publikon pamjet

Policia e Filadelfias ka nisur kërkimet për një burrë të maskuar me një maskë kukulle, i cili dyshohet se ka terrorizuar dhe kërcënuar disa banorë pranë Bashkisë së qytetit.

Sipas autoriteteve, vetëm gjatë javës së kaluar rreth gjashtë persona janë ngacmuar ose kërcënuar nga i dyshuari. Policia ka publikuar fotografi dhe një video të tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe gjetjen e tij.

Një nga incidentet më shqetësuese ndodhi më 12 gusht, rreth orës 05:30 të mëngjesit. Një kamerë sigurie regjistroi burrin teksa ndiqte një grua që po vraponte në rrugë. Sipas policisë, ai i tha asaj: “A je gati të vdesësh?”

E frikësuar nga kërcënimi, gruaja u pengua dhe u plagos. Pas incidentit, i dyshuari u largua drejt një stacioni metroje, ku humbi gjurmët.

Shefi i Policisë së Filadelfias, Jason Smith, tha se burri dyshohet se po filmonte incidentet me celularin e tij, të cilin e mbante me dritën ndezur.

I dyshuari përballet me akuza që përfshijnë kërcënime terroriste, sulm dhe vepra të tjera penale.

“A do të garosh me mua?”

Një tjetër dëshmitare, Luanda Marinho, tregoi për CBS se e kishte takuar burrin e maskuar gjatë një vrapimi në mëngjes, së bashku me një shoqe.

“Ai filloi të pyeste: ‘A do të garosh me mua? Vë bast se jam më i shpejtë se ti. A do të garosh me mua?’”, rrëfeu ajo.

Sipas saj, burri e përsëriti pyetjen disa herë, por ato nuk iu përgjigjën.

“Ishte shumë e çuditshme”, tha Marinho, duke shtuar se pas incidentit ajo dhe shoqja e saj po mendonin të ndryshonin itinerarin e vrapimit.

“Ishte thjesht e çuditshme, si një lojë e çoroditur”, u shpreh ajo.

Policia vijon hetimet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion për identitetin ose vendndodhjen e burrit të kontaktojnë autoritetet.