BOTA, 19 August 2026, 20:13

BE-ja del në mbështetje të GJNP-së pas sanksioneve të reja amerikane: Duhet të veprojë pa presion të jashtëm

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehën të mërkurën solidaritetin e tyre me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj presidentes së gjykatës dhe një avokati të lartë në Zyrën e Prokurorit.

Costa dhe von der Leyen publikuan deklarata në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, ku thanë se qëndrojnë fort përkrah GJNP-së, presidentes së saj, Tomoko Akane, dhe zyrtarëve të gjykatës.

“GJNP-ja ndihmon në dhënien e drejtësisë viktimave të disa prej krimeve më të tmerrshme në botë. Për të kryer këtë punë thelbësore, gjyqtarët dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa presion të jashtëm”, thanë ata.

Sanksionet e fundit synojnë Akane, shtetase japoneze, dhe Abdoulaye Seye nga Senegali, një avokat i lartë gjyqësor në Zyrën e Prokurorit, bëri të ditur gjykata me seli në Hagë përmes një deklarate.

Masat janë pjesë e sanksioneve kundër GJNP-së të vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në shkurt të vitit 2025.

Më herët të mërkurën, GJNP-ja i hodhi poshtë me forcë sanksionet e reja të SHBA-së, duke i përshkruar ato si “sulme flagrante” ndaj pavarësisë së saj gjyqësore.

Gjykata bëri të ditur gjithashtu se nëntë nga 18 gjyqtarët e saj, dy zëvendësprokurorë, ish-prokurori i saj dhe një anëtar i stafit janë aktualisht nën sanksione të SHBA-së.