BOTA, 20 August 2026, 09:49

VIDEO/ Avioni përplaset me një helikopter policie në Pensivali, humb jetën një pilot, plagosen dy të tjerë

Një person ka humbur jetën, ndërsa dy oficerë të Policia Shtetërore e Pensilvanisë janë plagosur pas një aksidenti ajror mes një avioni të vogël dhe një helikopteri të policisë, që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.

Ngjarja ndodhi në Aeroportin Carlisle, në Qarkun Cumberland. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), në përplasje u përfshinë një Cessna 150 dhe një helikopter policie Bell 407.

Viktima është piloti i Cessna-s, i cili besohet të ketë qenë personi i vetëm në bordin e avionit.

Dy pilotët që ndodheshin në helikopter, pjesë e njësisë elitare të aviacionit të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë, mbetën të plagosur, por nuk janë në rrezik për jetën.

Helikopteri, me bazë në Harrisburg, po kryente ushtrime rutinë stërvitore në aeroport. Në momentin e përplasjes, ai qëndronte pezull disa metra mbi tokë, në një zonë me bar.

Sipas autoriteteve, Cessna 150 u afrua nga pas dhe u rreshtua me njërën prej pistave pranë zonës ku ndodhej helikopteri. Për arsye ende të paqarta, avioni ndryshoi drejtim në momentin e fundit dhe u përplas nga pas me helikopterin.

Pilotët e helikopterit kanë deklaruar se nuk e kishin parë avionin që po afrohej.

Pas përplasjes, helikopteri u përmbys dhe u rrëzua në tokë. Piloti i Cessna-s humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy pilotët e helikopterit fillimisht mbetën të bllokuar në mjet, por më pas arritën të dilnin.

Zyrtarët e FAA-së mbërritën në vendngjarje, ndërsa hetuesit e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) nisën hetimet gjatë natës për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.