SPORT, 13 Janar 2022, 23:58

Milanit i duhen shtesat, eliminon Xhenoan nga Kupa dhe kap çerekfinalet

Milanit i duhen shtesat, eliminon Xhenoan nga Kupa dhe kap çerekfinalet

Milani ka prerë biletën për çerekfinalet e Kupës së Italisë, duke mundur pas kohëve shtesë me shifrat 3-1 Xhenoan e Andri Shevçenkos.

Ukrainasi kishte hedhur në fushë një skuadër shumë të guximshme të orientuar drejt sulmit dhe për një pjesë të lojës u duke se Xhenoa mund të bënte surprizën. Ajo gjeti avantazhin me Ostigard dhe iu afrua dyfishimit të shifrave me anë të Portanova.

Dukej se skuadra mike mund të merrte një kualifikim të bujshëm, por gjithçka ndryshoi me golin e Zhiru me kokë në minutën e 74-t. Milani mori zemër, megjithatë nuk ia doli që të shënonte përsëri dhe kështu ndeshja shkoi në kohët shtesë.

Aty diferenca e kuqezinjve u bë e dukshme, me Rafael Leaon që shënoi me një kryevepër nga e majta, ndërsa Saelemakers shtoi edhe golin e 3-1 për të vulosur kualifikimin e mëtejshëm në turne.