SPORT, 29 Prill 2023, 21:03

“As fletërrufeja nuk e ndali transferimin”/ Nga 17 Nëntori te Partizani, Starova: Ndërhyri Ramiz Alia, më çuan në Dajt me ushtarët

“As fletërrufeja nuk e ndali transferimin”/ Nga 17 Nëntori

Një histori me fletërrufetë që ka shënjuar karrierën e tij ka edhe Sulejman Starova. Edhe ky lojtar i Shkëndijës, i sapodiplomuar në ILKF, viti 1977, pëlqehet nga 17 Nëntori, një dëshirë edhe e vetë futbollistit. “Ishte traditë e familjes, një dëshirë edhe e tim ati, që kishte pak kohë i ndarë nga jeta, një avokat i njohur, tifoz i 17 Nëntorit, që unë të luaj me këtë skuadër. Madje dola edhe në stërvitje duke zhvilluar fazën përgatitore.

Luaj në një miqësore me 17 Nëntorin, që drejtohej nga trajneri Fatmir Frashëri, kur papritmas më njoftojnë të paraqitem në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty më informuan se dokumentet e mia ndodhen aty, duke më emëruar pedagog në Shkollën e Bashkuar. Për rrjedhojë isha lojtar edhe i Partizanit”, kujton Starova. Ndërkohë, ka reaguar tifozëria e 17 Nëntorit që hartoi një fletërrufe, për ta vendosur në qendër të Tiranës, me të cilën ata i drejtoheshin Ministrisë së Mbrojtjes, ku kërkohet që lojtari të rikthehet te 17 Nëntori.

Ka tension, deri në ndërhyrjen e Ramiz Alisë që urdhëroi mbylljen e çështjes dhe Starova përfundimisht është lojtar i Partizanit. “Befasia tjetër është se nuk luaj, nuk aktivizohem në tetë javët e para të kampionatit 1977-1978. Më dërguan në Feken, në malin e Dajtit, me studentët ushtarakë, në përgatitjen e tyre dimërore për luftë e mbrojtje”, e mbyll Starova.

FLETËRRUFE, EDHE NDËRMJET GAZETËS “SPORTI POPULLOR”…!

Një tjetër mënyrë ishte edhe ajo ndërmjet gazetës “Sporti Popullor”, e vetmja gazetë sportive, por që ka shërbyer për të kritikuar sportistët, trajnerë dhe individë të veçantë. I gjejmë në faqe, numra të saj. Në një rast, disa trajnerë të njohur të sportit, i drejtohen Ndërmarrjes Industriale Shtetërore NISH “Goma” në Durrës me kritika, pse ajo “nuk prodhon këpucë atletike me numra të vegjël”.

Një tjetër, por disi më ndryshe, është ajo e viti 1973, kur për rezultate të dobëta në mësim të futbollistëve të skuadrës “Shkëndija”, të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, nga një grup tifozësh, në qendër të Tiranës u vendos një fletërrufe, me titullin: “Pse ju futbollistë, jeni mbetës në provim”? E shoqëruar edhe me një shkrim në gazetën “Sporti” nga disa sportdashës, lidhur me këtë çështje. Fletërrufetë janë shfaqur, kanë goditur edhe mbretëreshën e sporteve, atletikën kombëtare, madje disa kampionë të saj.

Befasuese është një e tillë në faqet e gazetës “Sporti” të vitit 1968. Ajo u drejtohet tre sportistëve të njohur, Shokut Ramazan Driza, “Mjeshtër i Merituar”, Shokut Isa Tare, “Mjeshtër Sporti”, dhe Shoqes Myzejen Duli, “Mjeshtre Sporti”, ku ndër të tjera lexojmë:

“Si e shpjegoni mungesën tuaj, përse nuk morët pjesë në veprimtarinë e parë kombëtare të vitit për nder të forcave të kufirit? Ne pjesëmarrësit e kësaj kupe mendojmë se te ju kanë filluar të shfaqen mbeturina të ideologjisë së huaj, që nuk pajtohen aspak me moralin tonë komunist. A jetoni ju me situatën tonë revolucionare dhe a e kuptoni si aksion politik pjesëmarrjen tuaj në këto gara? Ju ftojmë të analizoni qëndrimin tuaj”. Autorët janë disa pjesëmarrës në garat e atletikës për Kupën e 24-vjetorit të Forcave të Kufirit.

E vendosur në tabelën “Zani i Masave”, në qendër të qytetit të Shkodrës. Bëhet fjalë për një tjetër formë publike: Jo fletërrufe, as kritika publike me përgjigje, por fletëluftarake, një tjetër formë e përmbajtje. Një rast duhet marrë shembull, ai me protagonist një futbollist. Një tekst vërtet unik për kohën. Hartuesit janë një grup punonjësish nga hidrocentrali “Mao Ce Dun” i Vaut të Dejës, ku ndër të tjera lexojmë: “Lojtari me Nr. 7, Lek Koçobashi.

– Ju kemi parë shpeshherë në qilimin e blertë të stadiumit dhe te ju kemi vërejtun gjithmonë lojtarin e palodhun, ku mobilizimi, shpirti luftarak, disiplina e hekurt, janë tiparet ma të larta të demonstruara nga ju, në dhjetëra ndeshje.

Mendojmë se figura e juej, e lojtarit me ndërgjegje të lartë sportive, duhet t’i kishte nxitur, jo vetëm disa lojtarë të afirmuem, por të gjitha repartet e skuadrës, tuj mos justifikue mundësitë dhe dëshirën e madhe të sportdashësve shkodranë, për t’i parë gjithënji në vend të nderit.

Mendojmë se shokët e Komitetit të Fizkulturës, dhe të klubit ‘Vllaznia’, mund të përgjithësojnë figurën morale të këtij futbollisti edhe në ekipet e tjera sportive. Përshëndetje revolucionare – Nji grup punonjësish të Hidrocentralit ‘Mao Ce Dun’, Vau i Dejës”.