AKTUALITET, 14 July 2026, 11:33

Akuzat/ Dhanë leje për panele diellore në toka bujqësore, SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës dhe 3 të tjerë! I çon në gjyq

Një tjetër ish-kryebashkiak socialist merret i pandehur nga SPAK. Fredi Kokoneshi, që ka drejtuar Divjakën akuzohet për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, bashkë me disa persona të tjerë. 

Dosja që është hetuar nga prokurori Elvin Gokaj ka zbritur në gjykatën e Posaçme ku pritet shorti për caktimin e gjyqtarit të seancës paraprake.

Krahas ish-kryebashkiakut Kokoneshi të pandehur janë marrë Andi Bullari, Ledio Xharo dhe Dorian Spaho.

Sipas të dhënave dhe hetimeve të SPAK, zyrtarët e Bashkisë kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së dhënies me qira të disa pasurive që janë përdorur për impiante diellore me afat shfrytëzimi 10-vjeçar, ndërkohë që në ASHK ishin të regjistruara si tokë bujqësore.